Sibel Vezaj
22 Shkurt 2017•Përditësim: 22 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Me rastin e fitores së filmit të shkurtër “Home” në “Akademinë Britanike të Filmit dhe të Arteve Televizive (BAFTA)”, sot Dokufest (Festivali ndërkombëtar i filmit të shkurtë dhe dokumentarëve) dhe Ekipi i Kosovës i Kombeve të Bashkuara (UNKT) organizuan një konferencë për media. Në konferencë ishin të pranishëm një pjesë e ekipit të filmit nga Kosova, përfshirë producentin Shpat Deda dhe regjisorin Daniel Mulloy si dhe përfaqësues nga Forcat e Sigurimit të Kosovës, policisë së Kosovës dhe mbështetësve të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).
Regjisori i filmit, Daniel Mulloy tha se Kosova është vend i jashtëzakonshëm për të bërë filma dhe shtoi se ka të rinj të cilët kanë talent dhe pasion.
“Është një ndjenjë fantastike të vish këtu dhe ta ndash suksesin me të gjithë ata që e bënë këtë të mundshëm. Është një film me një temë me të vërtetë serioze dhe filmi gjeti një shtëpi përfekte këtu në Kosovë, ku gjithkush ka një empati të lartë për situatën e tanishme të refugjatëve që largohen nga shtëpitë e tyre. Është një ndjenjë shumë e mirë të punosh me Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe dhe njerëz të shumt”, tha Mulloy.
Kurse Shpat Deda, producenti kosovar i filmit “Home” tha se ky film është realizuar në bazë të bashkëpunimit dhe të ndihmës së dhënë nga shumë njerëz dhe shumë institucione. Sipas tij, fitimi i çmimit në BAFTA është një sukses i madh i gjithë ekipit.
“Në atë moment kur është thirrur emri i filmit unë nuk e kam dëgjuar mirë, sepse e kanë thënë pak me zë të ulët, por pastaj kur e kuptova që e kemi fituar ka qenë një ndjenjë e euforisë së madhe, për shkak se një punë shumë e madhe kolektive e jona është shpërbyler me çmim, si dhe për shkak kauzës së filmit tash do t’i japë një frymë të re dhe do të mundësojë që të arrijmë të bashkëpunojmë me shumë njerëz nëpër botë dhe të zgjojë vazhdimësinë me kauzën e refugjatëve”, tha Deda.
Elmedina Morina drejtore artistike e filmit për Kosovë tha se shumica e skenave të këtij filmi janë zhvilluar një Graçanicë, ku jeton komuniteti serb dhe në Janjevë ku jeton komuniteti shqiptar dhe ai kroat.
“Ky film ka qenë shumë i ndishëm dhe lehtë i prekshëm për ne si pjesëtarë të një populli që jo shumë më parë ka qenë vetë në rolin e refugjatit, kështu që më duket se ky ka qenë motivi kryesor që na ka bërë të gjithëve si ekip dhe që kemi pranuar të punojmë në çfarëdo pozicioni qoftë”, tha Morina.
Ndërkaq, Nita Deda, Drejtoreshë e DokuFest, si dhe Line Producer në filmin ‘Home’, tha si ndihen krenarë për të qenë pjesë e familjes që e ka jetësuar këtë projekt.
“Pjesa më e bukur e përvojës sime në këtë film ka qenë entuziazmi dhe përkushtimi që e kemi ndarë si ekip, ku gjatë tre ditëve aspak të lehta të xhirimit ka ardhur në pah puna dhe planifikimi paraprak që e kemi bërë me muaj të tërë. Fakti që ekipi ynë ka qenë në të njëjtin nivel profesional me ekipën shumë të eksperiencuar nga Britania tregon potencialin profesional të rinisë së Kosovës kur fuqizohemi dhe kur besohet në talentin tonë”, tha Deda.
HOME është bashkë-produksion i DokuFest, Somesuch dhe Black Sheep Studios me aktorët Jack O’Connell dhe Holliday Grainger në rolet kryesore.
Filmi 20 minutësh është xhiruar në Kosovë dhe Britani të Madhe dhe e thekson gjendjen e refugjatëve dhe dhunës me të cilën përballen qindra mijëra njerëz në të gjithë botën.
Ai së pari në muajin shtator të vitit të kaluar u nominua për Çmimet Evropiane të Filmit, kurse dy muaj më pas u nominua për BAFTA, ku në këtë të fundit më 12 shkurt fitoi çmimin si filmi më i mirë në kategorinë Filmi i Shkurtër Britanik.