Fatjon Cuka
28 Korrik 2021•Përditësim: 29 Korrik 2021
Në Tiranë është mbajtur konferenca për mediat për prezantimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër - DokuFest, me pjesëmarrjen e drejtuesve të këtij festivali, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, foli në lidhje me programin e edicionit të 20-të të DokuFest-it, si dhe mbi aktivitetet e tjera që do jenë pjesë e eventit.
Nurkollari tha se prezantimi i këtij festivali në Tiranë tashmë është bërë një traditë.
"Vijmë për të prezantuar një pjesë të programit të DokuFest-it dhe po ashtu për ta bërë një ftesë gjithë Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve, të vijnë, të rikthehen në Prizren, meqenëse DokuFest po rikthehet pas një viti pauze, pas një viti të vështirë, jo vetëm për ne, por për të gjithë. Jemi të gëzuar, të entuziazmuar për mundësinë e bërjes së festivalit fizikisht, me një pjesë të vogël online", tha Nurkollari.
Sipas organizatorëve, në festival do të shfaqen 106 filma në tetë kategori garuese nga shtete të ndryshme, por edhe filma jashtë garës, enkas për këtë edicion të festivalit.
DokuFest do të mbahet në Prizren në datat 6-14 gusht dhe përveç shfaqjes së filmave do të organizohen edhe tryeza debati, ligjërata dhe ekspozita me fotografi.
Ndërkohë, një ndër risitë e edicionit të sivjetshëm do të jenë edhe performancat muzikore.
Nga ana tjetër, në Tiranë sonte do të shfaqen një përzgjedhje e filmave nga programi i edicionit të sivjetshëm.