Ahmet Gürhan Kartal
31 Mars 2020•Përditësim: 01 Prill 2020
Autoritetet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar kanë njoftuar se numri i vdekjeve nga koronavirusi i ri në vend është rritur në 1.801, pasi në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 393 persona, që është numri më i madh i vdekjeve brenda një dite, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në Angli ka informuar se në mesin e viktimave është edhe një 19-vjeçar i cili nuk ka pasur gjendje të vështirësuar shëndetësore.
Nga Departamenti i Shëndetësisë thonë se "deri në ora 09:00, 31 mars, gjithsej 143.186 persona janë testuar, prej të cilëve 25.150 kanë rezultuar pozitivë".
Kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili është në vetizolim pasi rezultoi pozitiv në testin e koronavirusit, mbajti një mbledhje të kabinetit me ministrat e tij nëpërmjet një video-konference, që ishte mbledhja e parë digjitale e realizuar ndonjëherë.
Ai u tha ministrave: "Kjo situatë do të përkeqësohet para se të përmirësohet, por do të përmirësohet".
Sky News ka raportuar se mbi 90 për qind e fluturimeve në Mbretërinë e Bashkuar janë ndaluar për shkak të uljes së kërkesës.
British Airways njoftoi se përkohësisht ka suspenduar fluturimet nga aeroporti Gatwick. EasyJet dje njoftoi se ka ndërprerë të gjitha fluturimet.
Këshilltarja e Laburistëve, Pat Midgley, u bë politikania e parë në detyrë që vdiq nga koronavirusi. Ajo ishte pjesë e këshillit të qytetit Sheffield.
Virusi COVID-19, i cili u shfaq në Wuhan, Kinë dhjetorin e kaluar, është përhapur në të paktën 178 vende dhe rajone në mbarë globin.