Koronavirusi

Italia nderon viktimat e koronavirusit me një minutë heshtje

Iniciativa e cila fillimisht u propozua nga qyteti verior Bergamo, që është njëri prej qyteteve më të goditur në vend, u pranua nga të gjitha qytetet në gjithë vendin

Ekip  | 31.03.2020 - Përdıtësım : 31.03.2020
Italia nderon viktimat e koronavirusit me një minutë heshtje

Romë

Italia mbajti një minutë emocionale të heshtjes në mesditë, duke ulur flamujt italianë në gjysmë shtizë në një shenjë mirënjohjeje mbarëkombëtare për viktimat e pandemisë së koronavirusit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Iniciativa e cila fillimisht u propozua nga qyteti verior Bergamo, që është njëri prej qyteteve më të goditur në vend, u pranua nga të gjitha qytetet në gjithë vendin. Edhe Vatikani uli gjithashtu flamujt e tij, duke iu bashkuar homazheve kolektive.

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, tha se iniciativa ishte shenjë e zisë kombëtare dhe solidaritetit me viktimat dhe familjet e tyre pasi numri i vdekjeve në Itali tejkaloi 11.000 persona, që akoma është numri më i lartë i vdekjeve në nivel global.

Kryetari i bashkisë së Romës, Virginia Raggi, u drejtua nga sheshi i zbrazur Piazza del Campidoglio, një simbol i qytetit që zakonisht është i mbushur me turistë.

"Ne duhet t'ia dalim. Ne patjetër t'ia dalim për ata që aktualisht janë duke luftuar për të mbrojtur shëndetin tonë, shpesh duke vënë në rrezik jetën e tyre", tha Raggi, duke iu referuar shumë mjekëve dhe infermierëve që humbën jetën duke luftuar kundër përhapjes së virusit.

Në një përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar gjendjen, qeveria italiane po mendon për një zgjerim të bllokimit pothuajse të plotë të paktën deri në të Dielën e Pashkëve, më 12 Prill, tha ministri i Shëndetësisë i Italisë, Roberto Speranza.

Në ndërkohë, afaristët po i bëjnë thirrje qeverisë për ndihmë në përballjen me pasojat e mëdha ekonomike.

Shoqata kryesore e biznesit në Itali, Confindustria, parashikoi se humbjet e shkaktuara nga pandemia në drejtim të prodhimit mund të arrinin deri në 10 për qind në gjysmën e parë të vitit dhe rënie vjetore prej rreth 6 për qind, që vlerësohet të jetë një katastrofë e vërtetë për ekonominë e vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.