Agim Sulaj
25 Maj 2020•Përditësim: 25 Maj 2020
Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar nëpërmjet një konference për media masat e reja lehtësuese që pritet të merren në Kosovë nga dita e enjte, 28 maj, në përballje me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
I shoqëruar me kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, si dhe me ipeshkvin Dodë Gjergji dhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia bëri të ditur se “objektet fetare do të hapen këtë të enjte, duke respektuar masat parandaluese për përhapjen e virusit”.
Po kështu u bë e ditur se deri në fund të muajit do të mbyllet karantina në Qendrën Studentore në bashkërendim me veprimet e shteteve të rajonit.
“Nga data 28 maj, gjithashtu orari i lëvizjes për qytetarët do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në ora 21:00 të mbrëmjes, ndërsa deri në fund të këtij muaji do të mbyllet karantina në përputhje me situatën e re epidemiologjike në vend dhe në bashkërendim me veprimet e shteteve të rajonit dhe më gjerë”, theksoi Vitia.
Sa i përket fazës së tretë të lehtësimeve që pritet të fillojë me 1 qershor, Vitia tha se parashihen masa të reja lehtësuese, “të cilat do të çlirojnë edhe më shumë ekonominë”.
Ministri Vitia tha se është tejet e rëndësishme që në kohën kur po kalohet në fazën e re ku po rritet liria dhe çlirohet ekonomia, të ketë përgjegjësi më të lartë qytetare.
Në konferencë u konfirmua se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar gjatë muajve të fundit buxhet shtesë në vlerë prej rreth 70 milionë euro nga qeveria, kreditorët dhe donatorët, jashtë buxhetit të ndarë në fillim të këtij viti, për menaxhimin e situatës me koronavirusin.