Agim Sulaj
05 Nëntor 2021•Përditësim: 05 Nëntor 2021
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit asnjë person i infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) nuk ka vdekur, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të mbetet në 2.978, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 14 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 160.837.
Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë testuar gjithsej 1.619 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë bërë 1.277.872 teste.
Sa i përket numrit të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 17 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 157.419, ndërkohë, numri i rasteve aktive me COVID-19 është 440.
Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 2.646 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.578.022 doza të vaksinës. Deri më sot 737.475 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.