Aness Suheil Barghoti
24 Mars 2020•Përditësim: 24 Mars 2020
Autoritetet shëndetësore izraelite kanë raportuar për vdekjen e dytë nga koronavirusi i ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Një grua izraelite vdiq nga virusi në Qendrën Mjekësore Wolfson në qytetin Holon, njoftuan nga spitali, duke theksuar se gruaja 67-vjeçare vuante nga "një gjendje e rëndë mjekësore para-ekzistuese".
Ministria e Shëndetësisë së Izraelit njoftoi se me 214 rastet e reja, numri i përgjithshëm i të infektuarve është rritur në 1.656.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se 31 pacientë janë në gjendje kritike, ndërsa 49 pacientë janë shëruar nga virusi.
Izraeli të premten konfirmoi rastin e parë të vdekjes nga sëmundja. Vendi ka ndërmarrë disa masa për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, duke përfshirë mbylljen e kafeneve, restoranteve, hoteleve, qendrave tregtare dhe vendeve të argëtimit.
Javën e kaluar, qeveria izraelite vendosi të ndjekë pacientët e konfirmuar dhe të dyshuar nga koronavirusi duke monitoruar telefonat e tyre celularë si pjesë e luftës kundër përhapjes së sëmundjes.
Pasi u paraqit fillimisht në qytetin kinez Wuhan, koronavirusi i njohur si COVID-19 është shpërndarë në të paktën 169 shtete dhe rajone. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.