Ekip
09 Qershor 2020•Përditësim: 10 Qershor 2020
Greqia ka rritur numrin e testeve të dyshuara për koronavirusin e ri (COVID-19), përderisa po prezanton kufizime të reja në nivel lokal pasi gjatë 24 orëve të fundit regjistroi një rritje të papritur të rasteve të zbuluara me këtë virus, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas lehtësimit të shumicës së masave kundër koronavirusit, nga autoritetet shëndetësore greke në ditën e fundit u raportuan 52 raste të reja të konfirmuara, duke regjistruar rritje më të madhe që nga 23 prilli kur vendi ende ishte në bllokim.
Pas rritjes së papritur, zyrtarët shëndetësorë të vendit vendosën të vazhdojnë me takimet e përditshme publike për të paralajmëruar qytetarët për masat e sigurisë.
Mediat lokale raportuan se profesoresha epidemiologjike në Shkollën Mjekësore të Universitetit të Athinës, Athena Linou, tha se "nuk ka vend për lëshime, koronavirusi është këtu dhe po na godet përsëri".
Autoritetet shëndetësore njoftuan se që nga e enjta e kaluar në Greqi u raportuan gjithsej 97 raste të reja të zbuluara, 30 prej të cilëve ishin udhëtarë nga jashtë, me çka numri i përgjithshëm i rasteve të zbuluara ka shkuar në 3.049.
Deri më tani, në këtë vend nga koronavirusi kanë vdekur 182 persona.
Sot në një takim të kryesuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ku të pranishëm ishin edhe zyrtarë shëndetësorë, u vendos që testet për COVID-19 të rriten në mënyrë që të sigurohet përputhja me masat e sigurisë kundër përhapjes së virusit.
Siç paralajmëruan autoritet më herët, fluturimet për në aeroportin e Athinës dhe të Selanikut do të rifillojnë nga 15 qershori, ndërsa nga 1 korriku do të rifillojnë fluturimet në të gjitha aeroportet greke.