Seda Sevencan
16 Maj 2020•Përditësim: 16 Maj 2020
Turqia ka vendosur orë policore katërditore në 15 provinca duke filluar nga sonte në mesnatë, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19) që deri më tani ka shkaktuar 4.055 vdekje në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ndonëse Turqia zakonisht shpall orë policore gjatë fundjavave, periudha u zgjat në katër ditë pasi 19 maji festohet si një festë zyrtare në vend.
Ora policore do të jetë efektive në kryeqytetin Ankara, si dhe në Balıkesir, Bursa, Eskişehir, Gaziantep, Stamboll, Izmir, Kayseri, Kocaeli, Konya, Manisa, Sakarya, Samsun, Van dhe Zonguldak.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, tregjet, dyqanet ushqimore dhe kasapët do të mbyllen më 16 dhe 17 maj. Megjithatë, ata do të vazhdojnë të funksionojnë nga ora 10:00 deri në 16:00 sipas orës lokale më 18-19 maj.
Gjithashtu, furrat e bukës do të mbeten të hapura gjatë gjithë kohës.
Ora policore për herë të parë u shpall më 11-12 prill dhe u pasua nga të tjera gjatë javëve të kaluara.
Deri më sot, në Turqi janë raportuar gjithsej 146.457 raste të koronavirusit, përfshirë 106.133 të shëruar.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OKB) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.
Sipas shifrave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të infektuarve me COVID-19 në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 4.5 milionë, me mbi 306 mijë të vdekur dhe mbi 1.61 milionë të shëruar.