Ekip
22 mars 2020•Përditësim: 22 mars 2020
Afganistani ka konfirmuar vdekjen e parë nga koronavirusi i ri (COVID-19), ndërkohë që numri i përgjithshëm i të prekurve nga ky virus është rritur në 34, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Afganistanit, Waheedullah Mayar, për AA konfirmoi se një burrë 40-vjeçar vdiq nga koronavirusi në provincën veriore Balkh.
Sipas zyrtarit të shëndetësisë afgane, pas varrosjes së të ndjerit familjarët janë zhvendosur në një zonë të kontrolluar nga talebanët.
Mayar tha se edhe një vdekje tjetër është raportuar në provincën perëndimore Herat, gjegjësisht një burrë me simptoma të dyshuara të koronavirusit, por rezultatet e testit të tij do të dalin më vonë.
Më herët gjatë ditës, autoritetet shëndetësore raportuan dhjetë raste të reja të koronavirusit, duke përfshirë dy të regjistruar për herë të parë në kryeqytetin Kabul. Me këto dhjetë të fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve nga koronavirusi në vend arrin në 34.
Ministri afgan i Shëndetësisë, Ferozuddin Feroz, sot më herët në një konferencë për media njoftoi se ndër dhjetë rastet e reja të konfirmuara në mbarë vendin nga gjithsej 97 teste të kryera, dy ishin diplomat të huaj me qendër në Kabul. Ai nuk pranoi të ndajë detaje të hollësishme lidhur me diplomatët.
Feroz kërkoi nga qeveria të shpallë një bllokim të plotë në provincën Herat, e cila është e kufizuar me Iranin dhe që është shpallur si epiqendër e koronavirusit në Afganistan me mijëra të deportuar që hyjnë për çdo ditë.
"Njerëzit duhet të bashkëpunojnë. Ne u bëjmë thirrje që ata të mos mblidhen në një vend, por pastaj shohim njerëz të tubuar për piknik dhe kështu me radhë. Kjo bëhet një problem masiv", tha Ferez, duke u ankuar se distancimi shoqëror nuk po respektohet.
Koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës dhe aktualisht, bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins në SHBA, është përhapur në të paktën 169 vende dhe rajone.
Nga pothuajse 312 mijë raste të konfirmuara, numri i vdekjeve ka tejkaluar shifrën 13 mijë, ndërsa rreth 94 mijë janë shëruar.
Italia, Kina, Irani dhe Spanja vazhdojnë të jenë vendet më të prekura.
Pavarësisht numrit në rritje të rasteve, shumica e njerëzve që kontraktojnë koronavirusin vuajnë simptoma të buta para se të shërohen.