Bekim Laci
02 Prill 2016•Përditësim: 03 Prill 2016
SHKUP (AA) - Nën patronazhin e bashkëshortes së presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, Maja Ivanova, dhe me një program të pasur argëtues për fëmijë, në Qendrën Edukative në Kopshtin Zoologjik në Shkup u shënua 2 Prilli - Dita ndërkombëtare e personave me autizëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Qëllimi i këtij eventi sipas shoqatës "Në botën time" është ngritja e vetëdijes tek qytetarët në drejtim të dhënies së përkrahjes për personat me autizëm, për çka eventi i sotëm u mbështet edhe nga Shoqata e motoristëve “Ujqit e Natës” të cilët padyshim se gëzuan fëmijët.
Maja Ivanova në një deklaratë për mediat tha se “nga këtu ngrisim zërin për trajtimin të cilin duhet ta kenë fëmijët me autizëm sepse nuk bëhet fjalë për sëmundje por për një çrregullim shpirtëror. Jo rastësisht fëmijët të cilët vuajnë nga autizmi quhen 'të urtët e qetë' sepse ata jetojnë në botën e tyre të veçantë”.
Ivanova theksoi më tej se fatkeqësisht numri i të prekurve gjithnjë e më shumë po rritet në rrafsh global për çka nevojitet një diagnostifikim i hershëm.
Kryetari i Unionit të Defektologëve të Maqedonisë, Goran Petrushev, duke folur për problemet, tha se përfshirja në procesin edukativo-arsimor mbetet një nga problemet më serioze për fëmijët me autizëm, të cilët sipas tij, kanë nevojë urgjente për qendra të posaçme të cilat do të kujdesen në drejtim të asistencës pedagogjike, por siç tha përkundër apeleve të shumta gjërat lëvizin shumë ngadalë.
“Bashkë më shoqatën "Në botën time" kemi bërë një koalicion joformal bashkë disa OJQ tjera me të cilat do të punojmë në fushën e avancimit të shërbimeve për personat e prekur nga autizmi. Shpresojmë që këtë vit apo tjetrin të kemi inkluzion më të mirë nëpër shkollat me defektologë të punësuar si dhe të kemi qendrën për diagnostifikim, zbulim dhe intervenim të hershëm", tha Petrushev.
Sonte me fillim në ora 19:00 në ngjyrë të kaltër do të ndriçohen Kabineti presidencial, Muzeu Arkeologjik dhe ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ndryshe, Dita ndërkombëtare e autizmit shënohet me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, miratuar më 18 dhjetor të vitit 2007, ndërsa është bërë me propozim të Katarit dhe përkrahur nga të gjitha vendet-anëtare.