SHKUP (AA) – Me rastin e festës së Fitër Bajramit, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë (BFI) në Shkup organizoi manifestimin tradicional me moton “Bakllavaja e Bajramit”, ku për mysafirët e ftuar u servir Bakllava dhe ëmbëlsira tradicionale për këtë festë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi mysafirët për prezencën dhe urimet e tyre me rasti e festës së Fitër Bajramit, ndërsa më tej u shpreh se ky manifestim organizohet me qëllim që në vazhdim dhe në të ardhmen në raste të këtilla si kjo të urojnë dhe të festojnë së bashku.
“Të gjithë ju, çdo vit vini në kabinetin tim, në selinë e Bashkësisë Fetare Islame për të më uruar mua dhe përmes meje të gjithë muslimanëve të vendit festën e Fitër Bajramit, por konsideroj se kjo formë e takimit jep më shumë peshë dhe kuptim uratave, si dhe padyshim që rrezaton festën e Bajramit”, theksoi Rexhepi.
Rexhepi në vijim të fjalës së tij në emër të BFI-së, organeve dhe institucioneve që drejton BFI u uroi festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve në Republikën e Maqedonisë dhe më gjerë.
“Lus Allahun fuqiplotë që ai të na ndihmojë. Të ruajmë paqen, të ruajmë qetësinë, të jemi tolerantë dhe të kultivojmë tolerancën, bashkëjetesën dhe të gjitha vlerat civilizuese, që sot bota e civilizuar i ndjek ato trende dhe jeton me ato sende”, u shpreh Rexhepi.
Në këtë manifestim ëmbëlsirën tradicionale të kësaj feste e shijuan një numër i madh i mysafirëve, ndër të cilët edhe ambasadori amerikan në vend, Jess Bailey, kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, kryepeshkopi Stefan, zëvendës kryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, si dhe funksionarë, ambasadorë, udhëheqës të komunave të vendit e të tjerë.