Fatjon Cuka,Malik Hasa
05 Qershor 2016•Përditësim: 06 Qershor 2016
TIRANË (AA) - Disa ditë para fillimit të muajit të Ramazanit, besimtarët që agjërojnë, fillojnë përgatitjet , ku në mesin e tyre janë edhe blerjet e produkteve të ndryshme ushqimore. Tirana e cila ka edhe qendrat tregtare dhe numrin më të madh të dyqaneve ofron edhe shumëllojshmëri të produkteve.
Anadolu Agency (AA) ka vizituar Tregun Industrial në Tiranë, ku tregtarët shprehen se kanë marrë të gjitha masat për të patur furnizim të mjaftueshëm me të gjitha produktet që kërkohen nga qytetarët që agjërojnë.
Durim Brahja është njëri prej tregtarëve në Tiranë dhe shprehet për AA se fuqia blerëse nuk është e lartë, por përsëri blerjet për disa produkte në prag të muajt të Ramazanit rriten. “Jemi përgatitur pothuajse për të gjitha produktet që nevojiten. Vitet e kaluara nuk ka patur ndryshime, mendoj që edhe këtë vit nuk do të ketë ndryshime në çmime. Frutat gjatë muajt të Ramazanit blihen më shumë”, shprehet ai.
%2F20160605_2_17352518_11053638.jpg)
Një tjetër tregtare është edhe Perihane Xhameta e cila tregon se ata mundohen që të mos rritin çmimet as para muajt të Ramazanit, por edhe gjatë tij.
Ndërsa Lindita, po tregtare në Tregun Industrial në Tiranë shprehet se në vitet e mëparshme ka patur më shumë fuqi blerëse, por edhe në rastet e festave nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh.
-Shoqatat në ndihmë besimtarëve gjatë muajit të Ramazanit-
Gjatë muajit të Ramazanit shoqatat e ndryshme iu gjenden pranë besimtarëve duke i ndihmuar me pako ushqimore, si dhe ofrimin dhe organizimin e iftareve. Drejtori i Shoqatës İstanbul me qendër në Shkodër, Ridvan Seferaj, në një prononcim për AA u shpreh se prej vitit 1999 kjo organizatë kryen funksionin e përqafuesit të Fondacionit Aziz Mahmut Hüdayi në Turqi. Ai tha se krahas shërbimeve në arsim ku kjo shoqatë është fokusuar, japin ndihmën e tyre për familjet në nevojë gjatë gjithë vitit, por veçanërisht në muajin e Ramazanit.
“Prej 16 vitesh ne i kemi kthyer në traditë programet tona për muajin e Ramazanit. Në oborrin e medresesë ne ngremë sofrën e Ramazanit ku me ndihmën e Fondacionit Hüdayi dhe Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë çdo ditë shtrojmë iftar për besimtarët. Rreth 5 mijë persona do të jenë përfitues të iftareve dhe ndihmave ushqimore të shoqatës tonë. Krahas Shkodrës shoqata jonë do të shtrojë iftarë edhe në qytete të tjera si Pukë, Koplik, Berat dhe Mamurras”, u shpreh Seferaj.
Shoqata Alternativa e së Ardhmes (ALSAR) nga data 6 qershor deri më 4 korrik në kuadër të përkujdesjes ndaj shtresave sociale në nevojë në bashkëpunim edhe me shoqata dhe fondacione nga Turqia si IHH do të shpërndajë ndihma me pako ushqimore në 7 qytete të ndryshme si dhe do të ofrojë shtrimin e iftareve.
Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës “ALSAR”, Saimir Rusheku, duke theksuar se të gjitha organizimet bëhen në koordinim me pushtetin lokal, tha se kjo gjë bëhet e mundur në sajë të bashkëpunimit edhe me Fondacionin IHH me qendër në Turqi.
“Ne do të ndajmë 5 mijë pako ushqimore dhe do të organizojmë iftare ku do të përfitojnë 3 mijë persona. Krahas këtyre do të përçohen edhe mesazhe përmes takimeve të drejtpërdrejta për të nxjerrë në pah vlerat e këtij muaji të madhëruar”, u shpreh Rusheku.
Ndërkohë edhe Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë do të shpërndajë për qindra besimtarë në Shqipëri ndihma ushqimore. Ndërsa "Karvani i Bereqetit" i organizuar në kuadër të nismës "Vëllazëria nuk njeh kufij" nga Bashkia Bajrampasha në Stamboll këtë vit do të jetë i pranishëm në dy qytete të Shqipërisë, Tiranë dhe Elbasan.