Ivana Ramadanova
19 Janar 2016•Përditësim: 20 Janar 2016
SHKUP (AA) - Të krishterët ortodoksë sot kremtojnë festën e Epifanisë, festë e cila sipas besimit të krishterë simbolizon pagëzimin e Jezu Krishtit në lumin Jordan, raporton Anadolu Anadolu (AA).
Në këtë ditë, krishterët shenjtërojnë ujërat për të cilët besojnë se shërojnë dhe janë të bekuar.
Gjatë ditës së sotme, tradicionalisht pothuajse në të gjitha vendbanimet në Maqedoni priftërinjtë hedhin kryqin në ujë, ndonjë lumë, liqe ose pishinë, dhe njerëzit kërcejnë në tentativë për ta kapur.
Besohet se në atë ditë të gjitha ujërat janë të pagëzuar ndërsa personi i cili do ta kap kryqin do të jetë i lumtur gjatë vitit të ardhshëm.
Ceremonia qendrore u mbajt në mesditë në Shkup, më konkretisht mbi urën “Liria” nga e cila kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, Stefan hodhi kryqin.
Moti i ftohtë as këtë vit nuk pengoi besimtarët e krishterë të hidhen pas kryqit në ujrat e ftohtë të lumit Vardar, në ritualin i cili simbolizon ardhjen e Krishtit në lumin Jordan.
Daniel Donçevski me origjinë nga Kratova është personi i cili kapi kryqin, por kjo nuk është hera e parë e tij, pasi edhe më herët kishte kapur kryqin, për herë të parë në vitin 2007.
"Është një ndjenjë e bukur. Qoftë për shumë mote kjo festë. Ky kryq le të sjellë shumë gëzim, shëndet dhe lumturi", tha ai.
Ngjarja e sotme u ndoq nga kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski dhe nga kryeministri i sapozgjedhur, Emill Dimitriev.