Bekim Laci
30 dhjetor 2015•Përditësim: 30 dhjetor 2015
SHKUP (AA) - Pas kërkesës së Athinës zyrtare, Agjencia Evropiane për Menaxhimin me Kufijtë e Jashtëm (FRONTEX) ka filluar stacionimin në ishujt grekë të gjithsej 293 pjesëtarëve të saj bashkë me 15 anije, raporton Anadolu Agency (AA).
“Në pajtim me Rregulloren e Frontex-it, me kërkesë të një shteti anëtar i cili përballet me një situatë urgjente dhe të jashtëzakonshme migratore në kufijtë e saj të jashtëm, Frontex-i mund të dërgojë ekipe të Gardës Evropiane Kufitare për një periudhë të kufizuar në territorin e shtetit anëtar i cili ka kërkuar një gjë të tillë”, thuhet në njoftimin e Agjencisë në të cilën qëndron se pjesëmarrja në operacionet e Frontex-it është në bazë vullnetare, mirëpo shtetet anëtare janë të detyruara të dërgojnë rojet kufitare.
“Numri i rojeve kufitare gradualisht do të rritet në mbi 400 oficerë, ndërsa do të rritet edhe numri i automjeteve dhe pajisjeve të tjera teknike për të ndihmuar autoritetet kombëtare në menaxhimin e presionit të paparë migrator në kufijtë e jashtëm grekë", thuhet në njoftimin e Frontex-it.