Servet Günerigök
20 Tetor 2018•Përditësim: 21 Tetor 2018
WASHINGTON (AA) - Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, deklaroi se është "thellësisht i pikëlluar" nga vdekja e konfirmuar e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).
Komentet e tij u bënë pasi Arabia Saudite pranoi se Khashoggi u vra pas një grindjeve brenda konsullatës së saj në Stamboll.
Khashoggi llogaritej i zhdukur që nga fillimi i tetorit, kur hyri në ndërtesën e konsullatës saudite në Stamboll.
"Sekretari i Përgjithshëm është thellësisht i pikëlluar nga konfirmimi i vdekjes së Jamal Khashoggit", deklaroi zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric. "Ai dërgon ngushëllime të sinqerta në adresë të familjes dhe miqve të Khashoggit".
Guterres thekson nevojën për një hetim të shpejtë, të plotë dhe transparent për zbardhjen e rrethanave që çuan në vdekjen e Khashoggit dhe kërkon përgjegjësi të plotë nga përgjegjësit, thuhet në deklaratë.
Hetimet e para të cilat i kreu zyra e prokurorisë Publike, zbuluan se “Khashoggi kishte një grindje dhe përleshje me personat të cilët i takoi në konsullatë, gjë e cila çoi në vdekjen e tij", thuhet në një deklaratë të agjencisë shtetërore saudite të lajmeve.
Sipas pohimeve të televizionit shtetëror saudit, lidhur me rastin e vdekjes së Khashoggit në konsullatën saudite në Stamboll, janë arrestuar 18 shtetas të Arabisë Saudite.