Adham Kako,Levent Tok,Halit Süleyman
08 Shkurt 2017•Përditësim: 09 Shkurt 2017
AL BAB (AA) - Ushtria e Lirë Siriane (ULS), e mbështetur nga Forcat e Armatosura Turke (TSK), ka intensifikuar operacionet për marrjen e qendrës së qytetit Al Bab në veri të Sirisë. Teksa janë çliruar lokacione në kodrat në qytet nga organizata terroriste DEASH, në lagjet që gjenden në perëndim të qytetit po zhvillohen luftime të ashpra midis terroristëve dhe ULS-së, e cila ka hyrë në këtë pjesë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ditën e 169-të të operacionit "Mburoja e Eufratit", TSK dhe njësite të ULS-së kanë rritur ofensivën ndaj organizatës terroriste DEASH në qendër të qytetit Al Bab në afërsi të Halepit, 30 kilometra në largësi të kufirit me Turqinë.
Sipas njoftimit të gazetarit të AA-së në Al Bab, në operacionin ku vazhdojnë asgjësimet e objektivave të DEASH-it, janë çliruar kodra Shejh Akil dhe disa kodra të tjera në qendër, ku edhe gjendet Spitali Vatan.
Forcat e ULS-së kanë avancuar nga kodrat drejt qendrës së qytetit dhe kanë hyrë në luftime të ashpra me terroristët në lagjet Mantika Garbijja, Villat dhe Xhebel Akil.
Derisa vazhdojnë luftimet, DEASH po organizon sulme vetëvrasëse me autobomba.
Me avancimin e operacionit "Mburoja e Eufratit", TSK dhe ULS kanë marrë nën rrethim qendrën e qytetit Al Bab nga pjesa veriore, perëndimore dhe ajo lindore.
TSK dhe ULS aktualisht gjenden në thellësi prej 35.1 kilometrash në Siri nga kufiri turk.
Njësitet e operacionit "Mburoja e Eufratit", në vend të avancimit të shpejtë drejt qytetit, kishin zgjedhur rrethimin e Al Babit në mënyrë që ta thyejnë rezistencën e terroristëve. Në këtë mënyrë synohet edhe parandalimi i shkaktimit të viktimave në mesin e civilëve.
Oportunizmi i regjimit në jug dhe mbështetja e Rusisë
Duke përfituar nga presioni ndaj DEASH-it në kuadër të operacionit "Mburoja e Eufratit", regjimi i Bashar Asadit dhe mbështetësit e tij po vazhdojnë avancimin në Al Bab.
Të vendosura në jug të Al Babit, forcat e regjimit në pesë ditët e fundit kanë avancuar për tre kilometra, duke u afruar në vetëm 3.3 kilometra larg qendrës së qytetit. Objektivi i parë para forcave të regjimit është qyteza e madhe e Al Babit, Tadif.
Ndërkaq, gjatë avancimit të ushtrisë së Asadit dhe grupeve të huaja terroriste që mbështesin regjimin, edhe Rusia është duke goditur me avionë ushtarakë objektivat e DEASH-it.
DEASH, i rrethuar nga të gjitha kahet në qendrën e Al Babit, në rast se vendos të tërhiqet, gjendet një korridor nga i cili mund të tërhiqet në drejtim të Rakkas në periferinë lindore të Halepit.