Fatma Bülbül
08 Shkurt 2017•Përditësim: 09 Shkurt 2017
ANKARA (AA) - Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, e përshkroi bisedën telefonike të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, me homologun e tij amerikan Donald Trump, të realizuar mbrëmë, si pozitive, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai tha se Trump është njoftuar për kërkesat e Turqisë për themelimin e një zone të sigurisë në Sirinë veriore, si dhe për ekstradimin e Fetullah Gylenit me qëndrim në SHBA.
Gyleni kërkohet nga drejtësia turke për rolin e tij në tentativën e organizatës terroriste FETO në grusht shtetin e dështuar më 15 korri të vitit të kaluar.
Në një intervistë për transmetuesin komercial të Turqisë, NTV, Kalin tha se Siria, PKK-ja dhe PYD-ja ishin temat e tjera që janë biseduar mes dy liderëve.
Kalin tha se themelimi i një zone të sigurisë në Siri paraqet një zgjidhje të arsyeshme në drejtim të parandalimit të një vale të re refugjatësh. Ai tha më tej se edhe pala amerikane është shprehur pozitivisht për një ide të tillë.
Ndonëse Erdoğan prej kohësh favorizon një zonë të sigurisë, ideja ka bërë pak përparim ndër fuqitë të përfshira në Siri.
Megjithatë, muajin e kaluar Trump i tha transmetuesit amerikan të lajmeve ABC se “gjithsesi do të bëjë zona të sigurisë në Siri”.
Kalin kritikoi administratën e ish-liderit të së SHBA-ve, Barack Obama e cila sipas tij nuk ka ndërmarrë hapa për ekstradimin e Gylenit.
Ai shtoi se administrata Trump është më pozitive për këtë çështje.