Sibel Vezaj
19 Shtator 2016•Përditësim: 19 Shtator 2016
PRISHTINË (AA)- Një grup studentësh nga Universiteti i Prishtinës, të quajtur “Uniteti” sot kanë mbajtur një protestë simbolike në kampusin e UP-së, para Kishës Ortodokse serbe, duke kundërshtuar rifunksionalizimin e kësaj kishe. Grupi “Uniteti” në formë simbolike ka qëndruar në këtë zonë rreth 45 minuta duke lexuar libra dhe duke vënë në dukje se kjo pjesë i takon atyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Edon Zeneli, student i UP-së, në emër të grupit “Uniteti” u shpreh se kampusi universitar duhet të përdoret vetëm nga studentët. Ai shtoi se me këtë rast do të diskutohet se çfarë do të bëhet me këtë hapësirë dhe shtoi se aksioni i tyre do të do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
“Kohëve të fundit janë ngritur disa zëri rreth këtij objekti prapa nesh që është ndërtuar qysh në fillim në kundërshti të plotë me vullnetin e Universitetit të Prishtinës, përkatësisht studentëve, profesorëve dhe rektoratit. Nuk mund ta injorojmë formën si është ndërtuar ky objekt këtu, pra inponueshëm dhe nga një politikë fashiste duke shkelur çdo vullnet”, u shpreh Zeneli.
Bekim Lumi, profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës u shpreh se përmes këtij leximi dëshirojnë të nënvizojnë se hapësira e Universitetit të Prishtinës është një hapësirë e cila u takon studentëve dhe mësimdhënësve të këtij universiteti. Duke vënë në dukje laicitetin universitar, Lumi deklaroi se “Në këtë kontest ne konsiderojmë se feja dhe religjioni e as politika nuk kanë se çfarë kërkojnë në hapësirën e Universitetit të Prishtinës. Kjo hapësirë është e drejtë dhe pronë e patjetërsueshme e studentëve dhe e mësimdhënësve të këtij universiteti. Ne jemi këtu për ta ngritur zërin tonë në mbrojtje të kësaj të drejte."
Ai theksoi se ky objekt i cili është ndërtuar në mënyrë të paligjshme, duhet të trajtohet në përputhje me ligjet në fuqi. Ndërkaq, protesta simbolike, në të cilën kishte policë të shumtë, përfundoi në mënyrë të qetë.
Reagimet kundër funksionalizimit të kishës ortodokse e cila gjendet në kampusin universitar të UP-së filluan pasi që një grup i klerikëve dhe priftërinjve ortodoks serb kishte ndërmarrë aksionin e pastrimit të këtij objekti brenda dhe jashtë tij. Në këtë aksion i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, Branimir Stojanoviq. Ndërkohë, inspektorati i Kosovës kishte ndërprerë këto punime, duke vlerësuar se këta të fundit nuk kanë leje dhe dokumentacione adekuate për pastrimin e kësaj zone.
Pas kësaj, të shtunën një grup i studentëve protestuan, duke vënë një pankartë në këtë objekt, ku shkruhej “Ky objekt që ka okupuar hapësirën universitare është ndërtuar në kohën e regjimit pushtues shovinist të Millosheviçit”. Në këtë ngjarje kishte edhe përleshje mes policisë dhe protestuesve, për të cilën Presidenti i Republikës së Kosovës reagoi duke theksuar se “Çdo objekt fetar në Kosovë është dëshmi e tolerancës dhe dialogut ndërfetar që vazhdojmë t’i kultivojmë dhe me të cilët mburremi të gjithë”.