Sertaç Bulur
13 Nëntor 2017•Përditësim: 13 Nëntor 2017
ANKARA (AA) – Së paku 38 terroristë janë neutralizuar gjatë operacioneve të cilat forcat turke të sigurisë i kryen gjatë shtatë ditëve të kaluara. Në mesin e tyre është edhe Kocali Bala i cili ka përdorur emrin e koduar Musa, ndërsa bëhet fjalë për një terrorist të kërkuar nga Lista Gri e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Brendshme e Turqisë njoftoi se forcat turke në periudhën prej më 6 deri më 13 nëntor kanë kryer gjithsej 1.456 operacione kundër organizatave separatiste terroriste.
Policia me këtë rast privoi nga liria 176 të dyshuar lidhur me organizatën terroriste PKK, 390 të dyshuar lidhur me DEASH-in, 586 të dyshuar lidhur me FETO-n dhe 15 të dyshuar lidhur me lëvizjen terroriste majtiste.
Forcat turke gjatë operacioneve neutralizuan gjithsej 38 terroristë të PKK-së, në mesin e të cilëve është edhe njëri nga terroristët më të kërkuar Kocali Bala, me emrin e koduar Musa. Në njoftimin theksohet se 16 terroristë janë vrarë, 14 të arrestuar dhe tetë u janë dorëzuar policisë turke.
Në juglindje të Turqisë ushtria, xhandarmëria dhe policia kanë shkatërruar 78 strehimore të terroristëve në male. Me këtë rast janë konfiskuar sasi e madhe e mjeteve shpërthyese, armëve dhe municionit.
Terroristët e PKK-së aktivitetet kryesisht i përgatisin në male në juglindje të Turqisë, ndërsa me qëllim të parandalimit të terroristëve në përgatitjet për dimër, forcat turke që nga shtatori intensifikuan operacionet në këto vise dhe deri tani shkatërruan 146 strehimore.
Në këto vendbanime, u konfiskuan disa ton miell, vaj, sheqer dhe ushqime të tjera, si dhe sasi të mëdha veshjesh dhe ilaçesh që terroristët kishin siguruar për dimrin.