Agon Fehmiu
08 Prill 2016•Përditësim: 08 Prill 2016
PRISHTINË (AA) - Para fillimit të ceremonisë së inaugurimit të Hashim Thaçit si President, hidhet gaz lotsjellës, duke shtyrë për disa minuta fillimin e solemnitetit.
Supozohet se gazi lotsjellës është hedhur nga Rruga Agim Ramadani, prapa ndërtesës së ish-Unionit apo Benetonit të sotëm, pranë Teatrit Kombëtar të Kosovës, që gjendet afër vendit ku do të mbahet ceremonia.
Përndryshe, çdo gjë është e gatshme për fillimin e ceremonisë inauguruese e cila po mbahet në sheshin “Skënderbeu”, para objekteve të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
Në ceremoni po marrin pjesë mbi 1000 personalitete të ndryshme nga vendi dhe mysafirë nga mbi 50 vende të botës. Përveç përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, akademikë, personalitete të artit, kulturës dhe sportit kosovar, në ceremoninë inauguruese të Thaçit si president të ri të Kosovës, janë parë kryetarët e Shqipërisë dhe Kroacisë, Bujar Nishani, respektivisht, Kolinda Grabar Kitaroviq, pastaj kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe mysafirë të tjerë të shumët nga rajoni dhe bota, në nivel të kryeministrave, kryetarëve të Kuvendeve, si dhe udhëheqës të tjerë të lartë institucional të shteteve mysafire.
Gjatë kësaj ceremonie, Presidentja e Kosovës në largim, Atifiete Jahjaga do t’ia dorëzoj një kopje të Kushtetutës së Kosovës, Presidentit të ri, Hashim Thaçit dhe së bahsku do të parakalojnë pranë Gardës së Nderit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa krejt në fund, presidenti i ri Thaçi do të mbajë edhe fjalimin e tij inaugurues.