Sibel Vezaj
10 Gusht 2016•Përditësim: 10 Gusht 2016
PRISHTINË (AA)-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot priti në takim këngëtaren Dua Lipa, e cila është me prejardhje kosovare. Presidenti Thaçi nderoi këngëtaren Lipa me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e saj në fushën e kulturës, raporton Anadolu Agency (AA).
Thaçi shprehu kënaqësinë për takimin me Lipën, duke theksuar se ajo është krenaria e Kosovës, dhe e botës shqiptare. Ai shtoi se suksesi i saj është vetëm fillimi i një shpërthimi të madh në arenën ndërkombëtare.
“Viti 2016 ishte viti i Kosovës, viti i Duës, viti i Majlindës dhe i Ritës dhe viti i të gjithë futbollistëve kosovarë gjithandej nëpër botë. Kosova po e ndërton në mënyrë të dinjitetshme identitetin e suksesit kosovar, prandaj si president i Republikës së Kosovës sot kam nderin dhe kënaqësinë që për kontributin e veçantë t’i japim medalje Dua Lipës për suksesin e saj”, u shpreh Thaçi.
Ndërkohë këngëtarja Lipa, u shpreh se ndjehet shumë e lumtur dhe krenare që është shqiptare, duke e prezantuar atdheun e saj. Ajo gjithashtu foli për koncertin e saj të mbrëmshëm, duke theksuar se ishte një natë e papërshkrueshme.
Dua Lipa mbrëmë ka mbajtur një koncert në Parkun e Gërmisë, ku qytetarët e pranishëm e shoqëruan gjatë këngëve dhe hiteve, siç janë “Hotter than Hell”, dhe “Be the one”. Të ardhurat e këtij koncerti do të përdoren për çështje humanitare. Ajo ka këndur për publikun e Prishtinës edhe disa këngë të reja, të cilat do të promovohen në albumin e saj të ri, vitin e ardhshëm.