Barry Ellsworth
22 shtator 2015•Përditësim: 22 shtator 2015
TRENTON, (AA) – Volkswagen Canada urdhëroi agjentët e saj ditën e hënë që të ndërpresin shitjen e makinave me naftë në këtë vend, pas zbulimit se prodhuesi i makinave ka manipuluar analizat e emetimeve për rreth 500.000 modele në Kanada dhe SHBA, raporton Anadolu Agency.
“Volkswagen Canada ka lëshuar një urdhër për ndalimin e shitjes që ka të bëjnë me automjetet e prekura deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje”, i shkroi në e-mail Canadian Broadcasting Company (CBC), zëdhënësi i kompanisë Thomas Tetzlaff.
Ky hap erdhi pasi Qeveria gjermane kërkoi nga prodhuesi i automjeteve që të bashkëpunojë me autoritetet amerikane rreth informatave për manipulim të analizave të emetimit.
Lajmet e skandalit, së bashku me mundësinë e gjobës deri në 18 miliardë dollarë sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), solli aksionet e VW-së në ulje për 20 përqind.
EPA dhe Bordi i Burimeve të Ajrit në Kaliforni pohuan se kanë gjetur program në 482.000 vetura që detekton kur një automjet është gati t’i nënshtrohet testit të emisioneve dhe aktivizon kontrollet e emisioneve. Në kushte normale të drejtimit të automjetit, kontrollet pushojnë, dhe lëshojnë ndotës.
“Personalisht më vjen shumë keq që kemi thyer besimin e konsumatorëve tanë dhe publikut”, tha drejtori ekzekutiv i Volkswagen-it, Martin Winterkorn.
Modelet kontestuese datojnë nga viti 2009. Në Kanada, automjetet me naftë përfshijnë VW Jetta (2009-15); VW Golf (2010-15); VW Beetle (2013-15); VW Passat (2012-15); VW Golf Wagon/Sportwagon (2009-15).
Departamenti i Mjedisit në Kanada u shpreh për Canadian Broadcasting Company (CBC) se janë duke punuar me EPA-n në verifikimin e emetimeve, duke vërë në dukje standardet e emetimit me ato në SHBA.