Bedrudin Brljavac
26 shtator 2015•Përditësim: 26 shtator 2015
BERLIN (AA) - Matthias Muller, 62 vjecar, të premten u emërua si drejtori i ri ekzekutiv i Volkswagen Group, pas largimit nga detyra të Martin Winterkorn për shkak të skandalit me manipulimin e të dhënave mbi ndotjen e ajrit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kompania gjermane theksoi se Muller është emëruar si drejtor ekzekutiv, sepse, sipas tyre ai zotëron cilësi "të shkëlqyeshme strategjike, korporataive dhe sociale".
Muller, i cili do të marrë detyrën menjëherë tha se Volkswagen mund të kapërcejë krizën aktule.
"Ne mund dhe do ta tejkalojmë krizën aktuale në të cilën gjendet kompania", tha Muller duke vënë në dukje se detyra e tij e parë do të jetë rikthimi i besimit në Volkswagen.
"Këtë do ta bëjmë me një hetim të plotë dhe me transparencë maksimale, por edhe do të marrim mësimet e duhura nga situata aktuale. Volkswagen nën drejtimin tim do të bëjë përpjekje për të zhvilluar rregulloret dhe kontrollet me standardet më të rrepta në të gjithë industrinë, por edhe për t'i ndryshuar ato", tha Muller.
Muller ka mbajtur pozicione të shumta në grupin VW në 30 vitet e fundit. Ai e filloi karrierën në vitet tetëdhjetë në departamentin e TI-së në Audi, kurse dhjetë vite më vonë iu bashkua departamentit të planifikimit brenda të njëjtës kompani.
Ai mori pjesë edhe në zhvillimin e Audi A3, pas së cilës u emërua si shef i strategjisë zhvillimore në Volkswagen, ku ishte përgjegjës për të gjitha markat që veprojnë në kuadër të kompanisë. Që nga tetori i 2010, ishte drejtues kryesorë në Porsche.