Gökhan Ergöçün
02 Mars 2022•Përditësim: 02 Mars 2022
Pavarësisht masave të shumta të Moskës, rubla ruse vazhdoi edhe sot të regjistrojë rënie kundrejt valutave të huaja, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vlera e shkëmbimit të monedhës ruse me dollarin amerikan shkoi në 107 gjatë ditës, nga rreth 76 sa ishte një muaj më parë.
Rubla humbi vlerën ndaj euros, me kursin e këmbimit që arriti në 119 nga 86 brenda të njëjtit hark kohor.
Këtë javë, Banka Qendrore e Rusisë dyfishoi normën e saj të interesit nga 9.5 për qind në 20 për qind.
Qeveria kufizoi transaksionet devizore, duke detyruar kompanitë që merren me tregtinë ndërkombëtare të shesin 80 për qind të të ardhurave të tyre nga këmbimi devizor në bankat e autorizuara.
Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është pritur me zemërim nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa BE-ja, Britania e Madhe dhe SHBA-të vendosën një sërë sanksionesh ekonomike kundër Moskës.
Rusia u izolua më tej pasi avionëve të saj iu ndalua përdorimi i hapësirës ajrore evropiane dhe kanadeze dhe një numër i bankave të saj u përjashtuan nga sistemi bankar ndërkombëtar SWIFT.
Deri më tani, të paktën 136 civilë janë vrarë në Ukrainë, përfshirë 13 fëmijë dhe 400 të tjerë të plagosur, përfshirë 26 fëmijë, sipas shifrave të OKB-së.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët njoftoi se rreth 680 mijë persona janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje.