Tuba Şahin
17 Gusht 2020•Përditësim: 18 Gusht 2020
Shitjet e pronave të banimit në Turqi u rritën 124.3 për qind nga viti në vit në korrik, njoftoi të hënën autoriteti statistikor i vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjithsej 229.357 shtëpi ndryshuan pronarët muajin e kaluar, nga 190.012 në të njëjtin muaj vitin e kaluar, thuhet në deklaratën e Institutit Turk të Statistikave (TurkStat).
Shitjet e banesave për blerësit e huaj ranë gjatë së njëjtës periudhë, duke zbritur 34.6 për qind në 2,741 njësi.
Stambolli, qyteti më i madh i vendit për nga numri i banorëve, regjistroi pjesën më të madhe të shitjeve për blerësit e huaj, me 1.046 njësi. Qyteti turistik mesdhetar i pushimeve Antalia pasoi me 615 prona, ndërsa kryeqyteti Ankaraja u rendit i treti me 230.
Të dhënat e korrikut treguan se shtetasit iranianë ishin blerësit më të mëdhenj sipas kombësisë, pasi blenë 540 shtëpi në Turqi. Ata u pasuan nga irakianët me 388 blerje, rusët me 154, afganët me 149 dhe gjermanët me 143.
Në periudhën janar-korrik, rreth 854.126 prona banimi u shitën në Turqi, duke u rritur me 40.5 për qind nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
TurkStat tha që shitjet e shtëpive për të huajt gjithashtu ranë me 29.6 për qind në bazë vjetore në 17,003 në shtatë muajt e parë të këtij viti.