Övünç Kutlu
09 Maj 2019•Përditësim: 10 Maj 2019
Çmimet e naftës kanë shënuar një rënie në fillimin e tregtisë sot për shkak të tensioneve tregtare në rritje midis SHBA-ve dhe Kinës, duke rritur me këtë edhe mundësinë e një ngadalësimi ekonomik global dhe kërkesës së përgjithshme të dobët të naftës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Marka ndërkombëtare e naftës Brent sot shitet me 69,83 dollarë për fuçi, duke shënuar një rënie prej 0,7 për qind pas mbylljes së ditës së djeshme kur ishte 70,31 dollarë për fuçi.
Marka amerikane e naftës West Texas Intermediate shitet me 61,73 dollarë për fuçi, me një humbje prej 0,3 për qind pas mbylljes së ditës së djeshme me 61,93 dollarë për fuçi.
Tensionet tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë u rritën pasi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, pretendoi se Kina "prish marrëveshjen".
"Ata nuk mund ta bëjnë këtë. Kështu që ata do të paguajnë", u tha Trump dje mbështetësve në një tubim të fushatës në shtetin Florida.
Të dielën, Trump po ashtu kërcënoi me rritje të tarifave mbi 200 miliardë dollarë për mallrat kineze, repsketivisht nga 10 për qind në 25 për qind. Ai shtoi se "së shpejti" një tarifë prej 25 për qind do të aplikohet për një vlerë prej 325 miliardë dollarë shtesë të mallrave kineze.
Pekini tha se nëse Washingtoni rrit normën e tarifave atëherë do të hakmerret me "kundërmasat e nevojshme".
"Përshkallëzimi i mosmarrëveshjes tregtare nuk është në interes të popullit të të dy vendeve dhe popujve të botës", tha Ministria kineze e Tregtisë.
Nëse bisedimet tregtare dështojnë, investitorët shprehin frikë se mund t’i hapet rrugë një ngadalësimi ekonomik botëror, duke reduktuar kërkesën e naftës në mbarë botën dhe duke vendosur një presion në rënie të çmimeve të naftës.