Besar Ademi
20 Tetor 2016•Përditësim: 21 Tetor 2016
SHKUP (AA) – Këto dy ditë Shkupi do të jetë qendra rajonale ku mbi 250 mysafirë nga vendi dhe të huaj do të ndjekin diskutime në Samitin e pestë tradicional “Maqedonia 2025” për përparimin ekonomik të Maqedonisë sipas indeksit matës të përbërë nga ky samit në bashkëpunim me kompaninë globale “McKinsey”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në samitin dyditor të pranishmit do të kenë mundësi të dëgjojnë trendet më të reja botërore në biznes, investime, financa, lidership, inovacione dhe teknologji nga mbi 40 oratorë të cilët do të flasin për nxitjen e zhvillimit ekonomik.
Për herë të parë në këtë samit do të prezantohet edhe programi i Agjencisë Evropiane të Mjedisit dhe mundësitë që sektori privat të përfshihet në hulumtimet e tyre. Gjithashtu do të prezantohen edhe arritjet më të reja botërore teknologjike, të tilla si inxhinieria emocionale, tele-shëndet dhe zhvillim i komunikimit inteligjent ndërmjet makinave.
Drejtor i sektorit për operacione tokësore pranë Agjencisë Evropiane të Mjedisit – (European Environmental Agency – Germany), Marko Butkoviq, theksoi se për Maqedoninë e rëndësishme është që t’i bashkohet kësaj agjencie në të cilën së pari nevojitet të kryhet një proces formal.
Njëkohësisht do të debatohet edhe për qëndrueshmërinë dhe mundësinë që të përdoren burimet ripërtëritëse të energjisë sipas shembullit të vendeve nordike të cilat planifikojnë 100 për qind të furnizohen me energji të qëndrueshme.
Për këtë temë këshilltarja e lartë në platformën “Nordic Energy Research”– Këshilli Nordik i Ministrave, Norvegji, Karina Barnholt Klepper, theksoi se mundësitë për Maqedoninë në burimet e energjisë janë të mëdha. Ajo duke përmendur përparësitë e Maqedonisë, tha se ky vend ka një rrjet të përbashkët në rajon, që është mundësi shumë e mirë për zhvillimin e burimeve të energjisë.
“Maqedonia ka një potencial hidroelektrik dhe pjesa më e madhe e energjisë vjen nga kjo. Keni filluar prodhimin e energjisë nga era, instalimi i së cilës është në Bogdanci. Keni pyje dhe mjaft deponi ku mund të riparohet bio-masë e cila më vonë do të konvertohet në bio-karburant”, u shpreh Klepper.
Do të flitet edhe për ekonominë qarkulluese, term i cili shënon revolucion në ekonominë industriale përmes pakësimit të mbeturinave dhe evitimit të ndotjes. Ndërsa, eksperti nga BE-ja do të flasë për transformimin e qyteteve në qytete të mençura sipas shembullit të disa qendrave evropiane.