Michael Gabriel Hernandez
16 Nëntor 2021•Përditësim: 16 Nëntor 2021
SHBA-ja konfirmoi të hënën se po punon për sanksione shtesë kundër Bjellorusisë, pasi Bashkimi Evropian paralajmëroi se do të pasojnë dënime, transmeton Anadolu Agency (AA).
Konfirmimi erdhi pasi diplomatët e BE-së ranë dakord të zgjerojnë kriteret për sanksionet si përgjigje ndaj krizës së emigrantëve nga Bjellorusia, duke ofruar një bazë ligjore për masat kufizuese kundër aviokompanive dhe agjencive të udhëtimit të përfshira në transportin e emigrantëve në kufijtë e BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Washington javën e kaluar tha se administrata e presidentit amerikan Joe Biden do të vendoste gjobat e veta në dhjetor.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price konfirmoi hapat e ardhshëm, duke deklaruar se SHBA-ja "po përgatit sanksione shtesë në koordinim të ngushtë me BE-në, partnerët dhe aleatët e tjerë".
Ai tha se do të vazhdojë të mbajë përgjegjëse qeverinë e presidentit bjellorus Alexander Lukashenko për sulmet e tij të vazhdueshme ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut dhe normave ndërkombëtare.
"I bëjmë thirrje regjimit që menjëherë të ndalojë fushatën e tij të orkestrimit dhe detyrimit të migrantëve të parregullt përtej kufijve në Evropë", u tha Price gazetarëve.
Ai shtoi se do të vazhdojë të ushtrojë më shumë presion mbi regjimin e Lukashenkos për sa kohë që ai refuzon të respektojë detyrimet ndërkombëtare, pasi minon paqen dhe sigurinë e fqinjëve të tij ndërsa vazhdon të shtypë dhe abuzojë me njerëzit e tij dhe të mbajë të burgosur politikë.
Zhvillimet e fundit vijnë mes tensioneve në kufi, pas muajsh të tëra emigrantësh që lëvizin drejt kufijve të Bjellorusisë me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë. Tre vendet e BE-së janë në kufirin lindor të bllokut 27-vendesh.
BE-ja akuzon qeverinë bjelloruse se "përdor migrimin e parregullt si mjet" dhe "përpjekje për të destabilizuar BE-në" duke dërguar emigrantë në kufijtë e vendeve anëtare të BE-së.