Övünç Kutlu
13 Qershor 2022•Përditësim: 15 Qershor 2022
Sipas shifrave nga Shoqata Amerikane e Automobilave (AAA), çmimet e benzinës në SHBA janë rritur në mbi 5 dollarë për gallon, raporton Anadolu Agency (AA).
Çmimi mesatar i benzinës mëngjesin e sotëm ishte 5.014 dollarë për gallon, respektivisht 0,07 për qind më shumë nga mëngjesi i ditës së djeshme kur ishte 5.01 dollarë për gallon. Çmimi regjistroi një rritje prej 3,06 për qind nga mesatarja e javës së kaluar prej 4,865 dollarë për gallon.
Sipas të dhënave të mbledhura nga AA, çmimi i fundit i benzinës në bazë mujore ka regjistruar një rritje prej 13,13 për qind nga 4,432 dollarë, ndërsa në bazë vjetore një rritje prej 62,9 për qind, përkatësisht nga 3,078 dollarë sa ishte një vit më parë.
Çmimi më i lartë i benzinës u regjistrua në Kaliforni me 6,436 dollarë për gallon, ndjekur nga Nevada me 5,657 dollarë.
Çmimet rekord po rrisin presionet e inflacionit në SHBA, ekonominë më të madhe në botë, ku çmimet vjetore të konsumit në muajin maj u rritën për 8,6 për qind, rritje më e madhe në më shumë se 40 vite.
Për të luftuar inflacionin rekord, Rezerva Federale e SHBA-së rriti normat e interesit në muajin mars me 25 pikë bazë dhe në muajin maj me 50 pikë bazë, ndërkohë pritet të mërkurën të rrisë normat e interesit edhe 50 pikë bazë.