Murat Temizer
22 Korrik 2022•Përditësim: 29 Korrik 2022
Rrjedha e gazit natyror nga Moska në Evropë është ulur në nivelet më të ulëta në katër vitet e fundit, respektivisht nën 100 milionë metër kub që nga fillimi i muajit korrik nga sasitë që lëviznin prej 400 deri në 500 milionë metër kub në ditë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) dhe operatori i sistemit të transmetimit të Ukrainës, Evropa importoi 155 miliardë metër kub gaz natyror nga Rusia, që korrespondon me rreth 40 për qind të konsumit të gazit natyror të kontinentit evropian vitin e kaluar.
Rusia, e cila dërgon gaz natyror në Evropë përmes Ukrainës, transmeton gaz natyror në Evropë dhe Türkiye edhe duke përdorur tubacionet e gazit natyror ‘TurkStrem’, ‘Rrjedha Veriore 1’, ‘Yamal’ dhe ‘Blue Stream’.
Megjithatë, të dhënat e IEA-së konfirmojnë se që nga fillimi i luftës me Ukrainën, eksportet e saj në Evropë kanë rënë ndjeshëm nga nivelet e e larta të regjistruara në muajin tetor të vitit 2019 prej mbi 500 milionë metër kub.
Nga 24 shkurti i këtij viti, me fillimin e sulmeve ruse në Ukrainë, kalimin e reduktuar të rrjedhës së gazit përmes Ukrainës dhe me ndalimin e transmetimit nga gazsjellësi ‘Rrjedha Veriore 2’, rënia u intensifikua dhe ra në 200 milionë metër kub deri në fund të muajit maj.
Kjo rrjedhë ra më tej në 100 milionë metër kub në fillim të muajit korrik, duke regjistruar një rënie prej 80 për qind në krahasim me vlerat rekord prej 500 milionë metër kub.
Rënia e kapacitetit të gazsjellësit ‘Rrjedha Veriore 1’ ishte vendimtare në rënien e rrjedhës së gazit. Më 15 qershor, kompania ruse ‘Gazprom’ paralajmëroi për dërgesat e reduktuara përmes gazsjellësit, duke përmendur moskthimin e pajisjeve teknike të nevojshme për mirëmbajtje nga kompania gjermane ‘Siemens’.
Gazsjellësi, që mund të transmetojë 160 milionë metër gaz në ditë, që nga 21 korriku po transmeton vetëm 65 milionë metër kub gaz natyror në ditë.
- Evropa vazhdon me planin e saj për të hequr dorë nga furnizimet me gaz rus
Edhe pse Evropa është shumë e varur nga energjia ruse, Bashkimi Evropian (BE) ka intensifikuar përpjekjet për të ndryshuar furnizimet dhe ka kërkuar alternativa duke blerë gaz natyror të lëngshëm (LNG) dhe ku është e mundur duke mbushur rezervuarët e depozitimit të gazit natyror.
Për të arritur këtë qëllim u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi midis BE-së dhe Azerbajxhanit për më shumë blerje të gazit nga Baku për të lehtësuar mungesat gjatë sezonit të dimrit.
Megjithatë, pavarësisht nëntë terminaleve të importit të LNG-së në Evropë, Gjermania, një nga importuesit më të mëdhenj të gazit rus, nuk është në gjendje të përfitojë nga këto lehtësira, sepse importon gaz vetëm përmes gazsjellësit.
Kapaciteti më i lartë i importit të LNG-së në Spanjë, që është rreth 70 miliardë metra kub, ka një lidhje të kufizuar të transmetimit të gazit me vendet e tjera evropiane, veçanërisht me Francën.
Edhe pse Gjermania ka qasje në terminalet e LNG-së në Holandë, kjo është e pamjaftueshme për kërkesën e vendit.
Gjatë mandatit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ndërtimi i një terminali të importit të LNG-së ishte në krye të vëmendjes nga presioni i SHBA-së ndaj Gjermanisë, por procesi u pezullua për arsye financiare. Pas luftës së Moskës në Ukrainë, kjo çështje u rishfaq dhe Gjermania përfundimisht u pajtua të ndërtojë terminale të LNG-së.
Për të lehtësuar mungesat, më 20 korrik BE-ja kërkoi që të gjitha vendet anëtare të reduktojnë konsumin e gazit me 15 për qind në kuadër të planit të emergjencës që u përgatit për t’u ballafaquar me mundësinë e ndërprerjes së rrjedhës së gazit natyror nga Rusia.
Megjithatë, Spanja ishte vendi i parë që iu përgjigj kësaj thirrjeje me një deklaratë të ministres spanjolle të Mjedisit, Teresa Ribera, e cila tha se “pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë, gazi dhe energjia e familjeve spanjolle nuk do të ndërpritet”.
"Çfarëdo që të ndodhë, Spanja do të mbrojë pozicionin e industrisë spanjolle", tha Ribera.