Ekonomi

"Rritja ekonomike në Kosovë është e paqëndrueshme"

"Jostabiliteti politik nuk nënkupton vetëm këto ciklet e shpeshta zgjedhore por nënkupton edhe mosvendimmarrje", tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi

Agim Sulaj  | 02.09.2019 - Përdıtësım : 03.09.2019
"Rritja ekonomike në Kosovë është e paqëndrueshme" ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) nëpërmjet një konference për media ka paraqitur problemet e sektorit privat në Kosovë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të shpeshta parlamentare, si pengesë e zhvillimit të këtij sektori, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, tha se disa nga barrierat e të bërit biznes në pesë vjetët e fundit në Kosovë janë ekonomia joformale, energjia elektrike dhe korrupsioni.

Rukiqi tha se Kosova ka rritje ekonomike, por kjo rritje është e paqëndrueshme. "Kosova ka rritje ekonomike por kjo rritje ekonomike është e paqëndrueshme. Është e paqëndrueshme për dy arsye. E para, varet nga investimet publike. E dyta, varet nga remitencat e diasporës. Ndërsa, në kushte normale nëse ne dëshirojmë ta shohim një cikël afatgjatë zhvillimor, rritjen ekonomike duhet ta presim nga sektori privat", tha Rukiqi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se OEK nuk do të angazhohet në zgjedhjet e 6 tetorit, por do të dalin me rekomandime për institucionet në lidhje me problemet e sektorit privat.

"Çdo dy vjet, çdo tre vjet, zgjedhje. Asnjë cikël qeveritar nuk po mbyllet në mandatin e plotë. Kjo është problematike. Reformat që po fillojnë, edhe tash në këtë mandat qeverisës, për shembull ligji i TVSH-së, ligji i tatimit në korporata e shumë ligje tjera që lidhen drejtpërdrejtë me biznesin kanë ngecur, nuk janë miratuar në Parlament. Jostabiliteti politik nuk nënkupton vetëm këto ciklet e shpeshta zgjedhore, por nënkupton edhe mosvendimmarrje", tha Rukiqi.

Duke folur për sfidat që po e presin qeverinë e ardhshme, kreu i OEK-ut tha se qeveria e ardhshme duhet të bëjë që punëtorët e sektorit privat të mos punojnë pa kontratë. Rukiqi gjithashtu tha se qeveria e ardhshme duhet të sigurojë energji elektrike me tarifa të ndryshme varësisht nga zona, të rrisë fondin për efiçiencë në energji, të vazhdojë punën me Gjykatën Komerciale, dhe të tjera.

Numri i punëtorëve të sektorit privat në Kosovë sipas të dhënave zyrtare është rreth 250 mijë, ndërsa në sektorin publik janë të punësuar rreth 85 mijë qytetarë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.