Murat Temizer
10 Shtator 2021•Përditësim: 10 Shtator 2021
Kompania ruse e energjisë Gazprom ka përfunduar ndërtimin e projektit të gazsjellësit "Rrjedha Veriore 2", njoftoi kompania, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratës së Gazprom, kostoja e projektit të gazsjellësit, ndërtimi i të cilit përfundoi mëngjesin e sotëm, ka arritur në rreth 10 miliardë euro.
Përmes gazsjellësit do të transferohen 55 miliardë metra kub gaz rus në vit në Gjermani përmes Detit Baltik.
Gazprom në një deklaratë më 6 shtator tha se kompania planifikon të fillojë me operacionet e gazsjellësit para fundit të vitit.
Ndër partnerët e projektit janë Shell, OMV, Engie, Uniper dhe Wintershall, si dhe pronari i projektit Gazprom.
Rreth gazsjellësit janë ngritur kundërshtime të shumta nga Ukraina, si dhe Polonia dhe disa vende baltike, së bashku me SHBA-në, që thonë se kërcënon sigurinë e Evropës Qendrore dhe Lindore. Megjithatë, SHBA-ja dhe Gjermania ranë dakord më 22 qershor për të lejuar përfundimin e projektit.