Politikë, Bota, Shëndetësi, Ekonomi

Biden paralajmëron masa më të ashpra për të detyruar amerikanët të vaksinohen

Presidenti amerikan, Biden kritikoi zyrtarët republikanë, duke thënë se durimi po soset për të pavaksinuarit

Andrew John Roesgen  | 10.09.2021 - Përdıtësım : 11.09.2021
Biden paralajmëron masa më të ashpra për të detyruar amerikanët të vaksinohen

New York

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden njoftoi të enjten hapa dramatikisht më të forta për të detyruar sa më shumë amerikanë të vaksinohen kundër COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Biden prezantoi gjashtë hapa të reja për trajtimin e koronavirusit dhe përhapjen e variantit më ngjitës Delta, i cili sulmon kryesisht popullatën e pavaksinuar.

Një pjesë e planit të tij është e sigurt se do të jetë kontrovers dhe mund të përballet me sfidë ligjore. Departamenti Amerikan i Punës, tha ai, tani do të urdhërojë që çdo kompani me mbi 100 punonjës duhet të sigurojë që çdo punëtor të jetë plotësisht i vaksinuar ose të tregojë teste javore negative të COVID-19 të punonjësve të pavaksinuar.

Biden asnjëherë nuk përdori fjalën "urdhër", por përmendi disa kompani të mëdha që tashmë kërkojnë vaksinime. "Edhe Fox News", tha ai, i cili ka vënë në dyshim prej kohësh protokollet dhe vaksinimet kundër COVID-19.

Ai tha gjithashtu se të gjithë punëdhënësve me 100 ose më shumë punëtorë do t'u kërkohet t'u japin punonjësve të tyre kohë të lirë për t'u vaksinuar.

"Kjo nuk ka të bëjë me lirinë ose zgjedhjen personale. Ka të bëjë me mbrojtjen e vetes dhe atyre përreth jush", tha presidenti amerikan.

Biden tha se të gjithë punonjësit federalë dhe kontraktorët federalë tani duhet të vaksinohen duke shtuar se ai po përdor gjithashtu autoritetin e tij për të kërkuar vaksinimin e 17 milionë punonjësve të kujdesit shëndetësor në spitale dhe objekte të kujdesit shëndetësor në shtëpi që punojnë me pacientë të Medicare dhe Medicaid.

Presidenti nuk ka autoritetin të urdhërojë vaksinimin në vendet e mëdha të argëtimit, por ai i nxiti ata që të kërkojnë vaksinime edhe midis punonjësve dhe klientëve.

Biden tërhoqi një vijë më të theksuar se kurrë më parë mes atyre që janë të vaksinuar dhe atyre që refuzojnë të marrin vaksinën.

"Çfarë duhet të presim më shumë? Çfarë duhet të shihni nevojë më shumë? Ne ishim të duruar, por durimi ynë është duke u sosur dhe refuzimi juaj na ka kushtuar të gjithëve", u shpreh ai.

"Dëgjoni zërat e amerikanëve të pavaksinuar, të shtrirë në shtretërit e spitalit, të cilët mezi marrin frymë, duke thënë 'sikur të isha vaksinuar'. Kjo është tragjedi", tha Biden.

Ai njoftoi 130 miliardë dollarë të fondeve federale për të ndihmuar rihapjen e shkollave duke ua mundësuar që ambientet shkollore të zbatojnë protokollet kundër COVID-19. Ai nuk i përmendi guvernatorët republikanë me emër, por me zemërim drejtoi gishtin tek ata guvernatorë që i kanë rezistuar urdhrit të mbajtjes së maskave në shkolla. Midis tyre janë guvernatori i Teksasit, Greg Abbott dhe guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, i cili ka kërcënuar se nuk do të paguajë bordet e shkollave që zbatojnë urdhrin e maskave.

"Flisni për ngacmimet në shkolla", iu drejtua Biden këtyre guvernatorëve.

Ai tha se të gjithë mësuesve të cilëve u ndërpritet pagesa për mbështetjen e urdhrit të maskës do të ketë kompensim të plotë nga qeveria federale.

Biden tha se Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) aktualisht është duke punuar në vlerësimin e një vaksine për fëmijët nën moshën 12 vjeç, por u bëri thirrje shkollave të zbatojnë masa të plota të mbrojtjes nga COVID-19 dhe të sigurojnë që të gjithë mësuesit të jenë të vaksinuar. Biden tha se në nivel kombëtar, rreth 90 për qind e të gjithë mësuesve janë plotësisht të vaksinuar.

Masat e tjera të Bidenit përfshijnë një plan për të marrë doza shtesë në dispozicion për amerikanët të cilët plotësojnë kushtet sapo të jenë gati, i cili synohet për 20 shtator.

Ai gjithashtu njoftoi se administrata po vë në dispozicion më shumë teste të shpejta për COVID-19 për bizneset dhe individët.

Për më tepër, ai njoftoi se Administrata e Sigurisë së Transportit (TSA) do të dyfishojë gjobat për udhëtarët që refuzojnë të mbajnë maska në avionë, diçka që ka vështirësuar punën e kompanive ajrore këtë verë, duke çuar në konfrontime të dhunshme.

"Nëse shkelni rregullat, përgatituni të paguani", shtoi ai.

Biden potencoi rritjen e programeve federale të huasë të cilat lejojnë një biznes të marrë hua deri në 2 milionë dollarë, varësisht se sa keq ka ndikuar COVID-19 në shitjet e tyre.

Ai njoftoi gjithashtu vendosje shtesë të mjekëve dhe infermierëve në shtetet ku shtrimet në spital janë veçanërisht të larta dhe qeveria do të rrisë disponueshmërinë e trajtimeve të antitrupave monoklonalë, të cilët janë treguar efektivë në zvogëlimin e qëndrimit në spital për pacientët me COVID-19.

Siç ka bërë edhe më parë, Biden edhe kësaj radhe përfundoi konferencën e tij për media duke u mbështetur në mikrofon dhe duke pëshpëritur në mënyrë dramatike "vaksinohu".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.