Emre Gürkan Abay
17 shkurt 2023•Përditësim: 18 shkurt 2023
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi se "Gazprom"-i ka zhvilluar plane afatgjata për të ardhmen, madje edhe për dekada, transmeton Anadolu.
Putin mori pjesë në ngjarjen e 30-vjetorit të kompanisë ruse të energjisë "Gazprom" përmes video-konferencës.
Ai theksoi se kërkesa globale për gaz natyror është pothuajse dyfishuar në 30 vitet e fundit. "Sipas parashikimeve të ekspertëve, ajo do të rritet me të paktën 20 për qind në 20 vitet e ardhshme. (Në energji) Në procesin e transformimit, kërkesa do të jetë e madhe. Më shumë se gjysma e kësaj rritjeje do të ndodhë në rajonin Azi-Paqësorit, veçanërisht në Kinë, duke pasur parasysh shkallën e rritjes së ekonomisë së saj", tha Putin.
Sipas tij, zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror në lindje të Rusisë ka rëndësi strategjike në dritën e këtyre zhvillimeve. "Kjo përfshin qendrat e prodhimit të gazit në Yakutsk dhe Irkutsk, uzinën e përpunimit të gazit Amur në ndërtim, tubacionin 'Fuqia e Siberisë', i cili ka kapacitet të ri me fushën e gazit Kovitka që u vu në punë dhjetorin e kaluar", tha presidenti rus.
Duke theksuar se "Gazprom"-i përballet me detyra të mëdha dhe komplekse në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe eksporteve, Putin tha se "Kjo ka të bëjë me ristrukturimin e rrugëve logjistike dhe fitimin e vendit në tregje të reja. Vetëm dje kaluam pothuajse dy orë me Aleksey Borisovich (presidentin e 'Gazprom' Aleksey Miller) duke diskutuar të gjitha këto plane me partnerët tanë të mundshëm".
"Planet afatgjata të 'Gazprom'-it janë gjithmonë largpamëse, të dizajnuara për vitet e ardhshme, madje edhe dekada. Kjo përkon plotësisht me interesat kombëtare, ambiciet dhe prioritetet e Rusisë si një fuqi e madhe nga qendrat dominuese të botës shumëpolare", tha Putin.
Ai tha se pavarësisht kushteve të konkurrencës së pandershme dhe ndërhyrjeve të drejtpërdrejta në zhvillimin e saj nga jashtë, "Gazprom" vazhdon të ecë përpara dhe të zhvillojë projekte të reja.