Sibel Vezaj
15 Qershor 2016•Përditësim: 15 Qershor 2016
PRISHTINË (AA) - Në Prishtinë sot filloi Konferenca dyditore Rajonale me temë: "Kërcënimet ndaj Sigurisë Bërthamore" e organizuar nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencë mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Jean-Claude Schlumberger si dhe 50 përfaqësues qeveritarë dhe joqeveritarë të fushës së sigurisë bërthamore dhe radiologjike nga rreth 10 shtete nga rajoni dhe më gjerë. Në konferencë përveç vendeve të rajonit kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Departamenti i Energjisë nga SHBA-të.
Kryeministri Mustafa, i cili mori pjesë si panelist në konferencë theksoi rolin e hartimit të kornizës ligjore në fushën bërthamore. Ai theksoi se qeveria ka hartuar draftin e strategjisë për sigurinë bërthamore dhe mbrojtjen nga rrezatimi për periudhën 2016-2026, ku është paraparë bashkëpunimi ndërkombëtar dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës në fushën bërthamore.
“Ekspertët e sigurisë tërheqin vërejtjen se rreziku nga përdorimi i armëve bërthamore për qëllime terroriste është shumë i madh. Terrorizmi bërthamor konsiderohet si kërcënim serioz dhe real për sigurinë ndërkombëtare, prandaj çdo ngjarje terroriste bërthamore dhe radiologjike kudo në botë do të kishte pasoja thelbësore, negative në ekonomi, për shoqëritë dhe për sigurinë e të gjitha kombeve”, u shpreh Mustafa.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Jean-Claude Schlumberger tha se OSBE-ja është e përkushtuar për t'i mbështetur iniciativat rajonale për mbrojtje nga rrezatimi dhe mjetet bërthamore ku keqtrajtimi i burimeve radiologjike dhe bërthamore janë disa nga kërcënimet kryesore.
“Është me rëndësi që institucionet relevante të Kosovës të mbesin të alarmuara dhe të rrisin kapacitetet në fushën e menaxhimit të sigurisë bërthamore. Meqë po flasim për karakterin global të këtyre kërcënimeve është shumë me rëndësi që rajoni ta rrisë vigjilencën dhe bashkëpunimin në mënyrë që të mbrojë popullatën e saj dhe t’i trajtojë këto kërcënime në mënyrë efektive", potencoi Schlumberger.
Beqir Mezelxhiu, kryeshef i Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore në Kosovë thotë se qëllimi i konferencës është thellimi i bashkëpunimeve në rajon për të luftuar dhe për t’u mbrojtur kundër kërcënimeve bërthamore.
“Përballja me sukses me terrorizmin është e mundur me një angazhim sistematik të planifikuar dhe të koordinuar në nivel kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Prandaj angazhimet kombëtare të agjencisë kanë qenë në forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimi në mes të institucioneve të Kosovës, duke punuar bashkarisht në hartimin e dokumenteve strategjike dhe implementimin e strategjive në fushën e parandalimit dhe luftimit të trafikimit të paligjshëm të materialeve bërthamore dhe sigurinë fizike të materialeve radioaktive”, tha Mezelxhiu.
Konferenca është organizuar në frymën e Samitit për Siguri Bërthamore 2016 i cili është mbajtur gjatë muajit mars në Washington ku është theksuar se organizatat terroriste po tentojnë të sigurojnë material bërthamor dhe secili prej nesh ka një rol të veçantë në parandalimin e sulmeve terroriste dhe parandalimin e shpërndarjes të materialeve bërthamore për qëllime jo paqësore.