Firdevs Yüksel,Sibel Morrow
Vendet më të mëdha prodhuese të naftës të grupit OPEC+ do të mblidhen të dielën për të vendosur mbi skemën e tyre të prodhimit për muajin janar e tutje, mes pasigurive globale të paraqitura mbi ofertën dhe kërkesën.
Ekspertët e industrisë ndryshojnë në parashikimet për vendimet e mundshme që do të marrin prodhuesit, me shumë opsione nga mbajtja e ‘status quo-së’ së prodhimit të naftës apo rritja e konsiderueshme e saj.
Në muajin tetor, grupi 23-anëtarësh i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e tij të njohur si OPEC+ ranë dakord për të ulur prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë që nga muaji nëntor.
Takimi i ardhshëm ministror, i planifikuar për të dielën, ku do të diskutohen zhvillimet e fundit të tregut dhe do të rishqyrtohen vëllimet aktuale të prodhimit, vjen mes shqetësimeve të vazhdueshme të kërkesës, të shkaktuara nga muaj të bllokimeve për koronavirusin COVID-19 dhe protestave të lidhura me të në Kinë, vend i cili është importuesi më i madh në botë i naftës së papërpunuar.
Trazirat në Kinë shkaktuan rënie të mprehtë të çmimeve të naftës, duke rritur mundësinë e një vendimi për uljen e prodhimit të naftës në takimin e grupit OPEC+ të dielën.
Në përgjigje të raporteve për planet e grupit OPEC+ për rritjen e ofertës së naftës, ministri saudit i Energjisë, Abdulaziz bin Salman, në emër të udhëheqësit ‘de facto’ të grupit OPEC+, javën e kaluar përsëriti se shkurtimi aktual i prodhimit do të zgjasë deri në fund të vitit 2023. Ai po ashtu shprehu vullnet për të bërë shkurtime të mëtejshme bazuar në dinamikën ofertë-kërkesë.
Takimi gjithashtu vjen një ditë para ndalimit të Bashkimit Evropian (BE) për eksportet ruse të naftës bruto nga deti dhe kufirit të diskutueshëm të çmimit, që do të hyjë në fuqi më 5 dhjetor, gjë që turbullon më tej ujërat për vendimin e mundshëm të grupit OPEC+.
Nafta e papërpunuar Brent, e cila kaloi 139 dollarë për fuçi më 7 mars për shkak të shqetësimeve të ofertës nga lufta Rusi-Ukrainë, që nga muaji gusht është treguar nën 100 dollarë për fuçi, derisa shqetësimet e recesionit global intensifikohen duke rritur kështu edhe shqetësimet e kërkesës.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, grupi OPEC+ më 5 tetor vendosi të reduktojë prodhimin e naftës me 2 milionë fuçi në ditë duke filluar nga muaji nëntor, në mënyrë që të parandalojë rënien e mëtejshme të çmimeve.
Prandaj, OPEC në raportin e tij të fundit mujor të tregut të naftës e korrigjoi parashikimin e tij për rritjen e kërkesës globale për naftë këtë vit dhe vitin e ardhshëm, duke theksuar pritjet për kërkesë më të dobët të naftës nga parashikimi i mëparshëm.
- "Shkurtimi aktual i prodhimit nuk mund të parandalojë rënien e çmimeve të naftës"
Anas Alhajji, partneri menaxhues i këshilltarëve të Perspektiës së Energjisë Botërore (WEO), duke folur për Anadolu Agency (AA) tha se problemi për grupin OPEC është dhjetori dhe tremujori i parë i vitit 2023.
Ai thotë se shkurtimi aktual i prodhimit me 2 milionë fuçi në ditë nuk është e mjaftueshme për të ruajtur stabilitetin e tregut dhe kjo masë nuk mund të parandalojë rënien e çmimeve të naftës.
"Rezultati optimal është një shkurtim shtesë dhe më pak optimale është qëndrimi në këtë drejtim", tha Alhajji.
Sipas tij, ruajtja e ‘status quo-së’ mund të ulë çmimin e naftës me më shumë se 10 dollarë për fuçi, ndërsa një shkurtim i vogël do të ruante çmimet aktuale. Megjithatë, ai theksoi se një shkurtim i madh, veçanërisht në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, do të "çojë çmimet e naftës Brent në mbi 90 dollarë për fuçi".
Alhajji beson se disa faktorë, përveç Kinës, po kontribuojnë në rënien e çmimeve, duke përmendur lëshimin e javës së kaluar së 15 milionë fuçive të naftës nga Rezervat Strategjike të Naftës nga administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, së bashku me ngritjen e vlerës së dollarit amerikan, për të cilin ai theksoi se është "duke bërë kërdi në rritjen e kërkesës globale për naftë, pasi kostoja e importit të naftës në vendet me monedha të zhvlerësuara kalon kulmin".
Ai gjithashtu specifikoi si faktor pritjet e një recesioni global vitin e ardhshëm.
Carole Nakhle, shefja e kompanisë së hulumtimit dhe trajnimit ‘Crystol Energy’, theksoi tre rezultate të mundshme nga takimi, respektivisht "rritjen e prodhimit siç u përfol një javë më parë, shkurtimin e prodhimit ose mbajtjen e të njëjtit nivel" të prodhimit të naftës.
Nakhle për AA tha se rezultati me shumë gjasë do të jetë mbajtja e të njëjtit prodhim. Ajo përjashtoi mundësinë e rritjes së prodhimit duke marrë parasysh kushtet aktuale të tregut.
"Derisa mund të argumentohet se çmimet e naftës sot po tregtohen rreth të njëjtave nivele si përpara takimit të tetorit të grupit OPEC+, kur grupi njoftoi një ulje me 2 milionë fuçi në ditë, pasojat e pasigurta të sanksioneve të BE-së dhe kufiri i çmimit të naftës mbështesin skenarin e fundit për të mbajtur të njëjtin nivel të prodhimit për momentin", tha Nakhle.