Ebru Şengül Cevrioğlu
08 Mars 2022•Përditësim: 09 Mars 2022
Kompania e naftës "Shell" ka vendosur të mos blejë më asnjë hidrokarburant rus, përfshirë naftën e papërpunuar, produktet e naftës, gazin dhe gazin e lëngshëm natyror (LNG), në përputhje me rekomandimet e reja të qeverisë, njoftoi sot kompania, transmeton Anadolu Agency (AA).
Fillimisht kompania do të ndalojë blerjen e naftës bruto ruse, duke shtuar se do të mbyllë gjithashtu të gjitha stacionet e karburantit, derivatet e aviacionit dhe operacionet e lubrifikimit në Rusi.
"Jemi plotësisht të vetëdijshëm se vendimi ynë i javës së kaluar për të blerë naftë bruto ruse për t'i përpunuar në produkte si benzina dhe nafta nuk ishte i duhuri dhe më vjen keq", tha drejtori ekzekutiv i kompanisë Shell, Ben van Beurden.
Në konsultim me qeveritë, Shell do të ndryshojë zinxhirin e saj të furnizimit të naftës së papërpunuar për të eliminuar sasitë ruse.
"Do ta bëjmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, por lokacioni fizik dhe disponueshmëria e alternativave do të thotë se mund të duhen javë dhe të çojë në një reduktim të rrjedhës në disa nga rafineritë tona", shpjegoi ai.
Van Beurden më tej theksoi se kjo është një sfidë e ndërlikuar dhe se ndryshimi i kësaj pjese të sistemit energjetik do të jetë sfidues.