
Istanbul
STAMBOLL (AA) - Ministri kanadez i Financave, Francois-Philippe Champagne dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Anita Anand, do të udhëtojnë në Mexico City këtë javë për të diskutuar tregtinë me zyrtarët meksikanë, transmeton Anadolu.
Siç raporton The Globe and Mail, sipas burimeve kanadeze, ministrat e lartë të kabinetit gjithashtu pritet të takohen me presidenten meksikane, Claudia Sheinbaum.
Bisedimet dy-ditore që fillojnë nesër do të trajtojnë tregtinë dhe marrëdhëniet dypalëshe më të gjera midis vendeve.
Takimi vjen derisa të dy vendet përballen me tarifat e përshkallëzuara të SHBA-së në rrethana të ndryshme. Kanadaja pa tarifat e saj të rriteshin në 35 për qind nga 25 për qind pasi bisedimet me Washingtonin dështuan të arrinin një marrëveshje.
Kryeministri kanadez, Mark Carney dhe presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, diskutuan forcimin e bashkëpunimit tregtar dhe respektimin e kornizës së Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada në korrik.
Megjithatë, Meksika siguroi një zgjatje 90-ditore për të vazhduar negociatat tregtare pa rritje të menjëhershme të tarifave. Të enjten, Sheinbaum tha se Meksika arriti një marrëveshje me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të shtyrë tarifat prej 30 për qind pa bërë lëshime.
Meksika renditet ndër partnerët më të mëdhenj tregtar të Kanadasë, me mbi 49.7 miliardë dollarë në tregti mallrash dypalëshe në vitin 2022. Meksika eksportoi 22.2 miliardë dollarë në Kanada në vitin 2022, duke e bërë Kanadanë partnerin e saj të dytë më të madh global të eksportit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.