Övünç Kutlu
08 Janar 2021•Përditësim: 08 Janar 2021
Goldman Sachs rishikoi parashikimin e rritjes ekonomike të SHBA-së me 0,5 pikë përqindje për vitin 2021, pasi Demokratët krijojnë mundësi të shohin një paketë stimuluese më të madhe të miratuar në tremujorin e parë të vitit, raporton Anadolu Agency (AA).
PBB-ja e SHBA-së pritet të rritet tani me 6,4 për qind këtë vit, nga vlerësimi i mëparshëm prej 5.9 për qind, thuhet në raportin e bankës amerikane të investimeve shumëkombëshe dhe kompanisë së shërbimeve financiare.
Pasi Demokratët fituan të dy vendet e Senatit në zgjedhjet e balotazhit të Georgia-s të mërkurën, duke u dhënë atyre kontrollin e Kongresit, dhe fitores së Joe Biden të zgjedhjeve të 3 nëntorit për Shtëpinë e Bardhë, ata "ka të ngjarë të kalojnë stimuj të tjerë fiskalë në tremujorin e parë", thuhet në raport.
Goldman Sachs tha se pret një paketë lehtësimi prej rreth 750 miliardë dollarësh, e cila do të përfshijë 300 miliardë dollarë në kontrolle stimuluese për amerikanët e papunë.
Firma e investimeve parashikon gjithashtu që niveli i papunësisë në SHBA të ulet në 4,8 për qind në fund të këtij viti, në 4,3 për qind në fund të vitit 2022, dhe më vonë në 3,9 për qind dhe 3,6 për qind për fundin e vitit 2023, përkatësisht 2024.
Megjithëse vaksinat kundër COVID-19 japin shpresë për rimëkëmbje më të shpejtë në ekonominë më të madhe në botë, "lajmet dekurajuese në frontin e virusit, përfshirë ritmin e ngadaltë të vaksinimit dhe shfaqjen e llojeve më infektuese të virusit, sugjerojnë që rritja e shpenzimeve nga stimuli do të mbetet më shumë sesa zakonisht", paralajmëroi ajo.
SHBA-ja ende kryeson në botë sa i përket rasteve me COVID-19, me mbi 21,5 milionë të prekur dhe më shumë se 365.000 vdekje, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.