Bayram Altuğ
23 Janar 2018•Përditësim: 23 Janar 2018
DAVOS (AA) – Me masa të përforcuara të sigurisë në Davos të Zvicrës sot ka filluar Forumi i 48-të Ekonomik Botëror (WEF), raporton Anadolu Agency (AA).
Tema kryesore e Forumit të sivjetshëm në Davos është “Krijimi i një të ardhme të përbashkët në një botë që ndahet”. Temat globale ekonomike dhe të sigurisë do të dominojnë gjatë forumit.
Në fillim të forumit, më shumë vëmendje kanë tërhequr masat e rrepta të sigurisë që organizatorët kanë marrë. Helikopterët e policisë vëzhgojnë qytetin e vogël zviceran në Alpet, ndërsa rrugës për në këtë vend, ushtria dhe policia zvicerane kanë ngritur disa pika kontrolli.
Shefi i policisë në kantonin e Graubunden, Walter Schlege, tha se 4.400 ushtarë ndihmojnë policinë në masat e sigurisë. Ai shtoi se do të ketë edhe rreth 600 ushtarë nga Lihtenshtajni.
Schlege gjithashtu tha se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, pritet të arrijë në ditën e fundit të forumit dhe se do të merren masa shtesë të sigurisë ku do të përfshihen shërbimet sekrete amerikane.
Paralelisht me këtë, Këshilli Federal i Zvicrës ka urdhëruar ushtrinë që të rrëzojë çdo avion i cili shkel ndalesën e fluturimit mbi rajonin në të cilin është Davos.
Disa organizata joqeveritare në Zvicër iniciuan fushatë në rrjetet sociale kundër ardhjes së presidentit amerikan Trump.
Nga rajoni në forum, kanë paralajmëruar pjesëmarrje Presidenti i Kosovë, Hashim Thaçi, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.
Ndërsa gjithashtu është paralajmëruar pjesëmarrja edhe e zëvendëskryeministrit të Turqisë, Mehmet Şimşek, presidentit francez Emanuel Macron, presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kryeministres britanike Theresa May, kancelares gjermane Angela Merkel, kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, shefit të Qeverisë kanadeze, Justin Trudeau dhe shumë zyrtarë të tjerë prej 70 vendeve.