Austria bllokon objektivin e BE-së për klimën për vitin 2040
Austria ka paraqitur një listë me gjashtë kërkesa që synojnë të mbrojnë industrinë vendase
Londër
Austria nuk mund ta mbështesë objektivin e propozuar të Bashkimit Evropian për klimën deri në vitin 2040 në formën e tij aktuale, duke vënë në dyshim fatin e planit historik të emetimeve përpara një votimi vendimtar nga ministrat e mjedisit, transmeton Anadolu.
Propozimi synon të ulë emetimet e gazrave serrë të bllokut me 90 për qind krahasuar me nivelet e vitit 1990 deri në vitin 2040, një objektiv i përshkruar si qendror për ta mbajtur Evropën në rrugën e duhur për neutralitetin klimatik deri në mesin e shekullit.
Sipas një raporti nga media "Euractive" të martën, teksti i draftit është negociuar shumë, me kompromise të shumta të bëra për të adresuar shqetësimet mbi ndikimin e tij në industri dhe familje. Por, me suksesin e votimit që varet nga sigurimi i të paktën 15 shteteve anëtare që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së BE-së, vendimi i Austrisë mund të jetë vendimtar.
Pavarësisht qëllimit të vetë Vjenës për t'u bërë neutrale ndaj klimës deri në vitin 2040, ministri i Mjedisit Norbert Totschnig tha se vendi nuk do ta mbështesë objektivin e BE-së prej 90 për qind. "Ne shohim hapësirë për korrigjim", tha ai.
Austria ka paraqitur një listë me gjashtë kërkesa që synojnë të mbrojnë industrinë vendase.
Presidenca daneze ka ndërtuar shumicën e saj të përkohshme rreth Gjermanisë, Francës dhe Spanjës. Por, për të arritur pragun e popullsisë, do të nevojitet edhe mbështetje nga Polonia, Italia ose një koalicion shtetesh më të vogla.
Polonia tashmë ka sinjalizuar kundërshtimin.
Italia gjithashtu ka refuzuar të mbështesë marrëveshjen. Ministri i Energjisë, Gilberto Pichetto Fratin tha se propozimit i mungojnë elementë "të domosdoshëm", duke bërë thirrje për ndryshime në ndalimin e BE-së për makinat e reja me benzinë dhe naftë që nga viti 2035.
