İlhan Toprak,A. Eda Ünlü Özen
02 qershor 2016•Përditësim: 03 qershor 2016
NAIROBI (AA) – Zv/Sekretari i përgjithshëm dhe zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, në lidhje me rezolutën e Kuvendit Federal Gjerman për pretendimet armene, tha se “Turqia asnjëherë nuk ka ikur nga të ballafaquarit me historinë. Megjithatë, ajo natyrisht që nuk ngelet e pazëshme ndaj gënjeshtrave, propagandave dhe trushpërlarjeve. Përpjekja për të ushtruar presion ndaj Turqisë dhe popullit të saj duke u justifikuar me ngjarjet e vitit 1915 është gjë e kotë dhe ka kuptimin e mospërfilljes së shtetit dhe popullit të Turqisë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Kalin, i cili e shoqëroi presidentin Recep Tayyip Erdogan gjatë vizitës së tij në Kenia, në deklaratën për gazetarin e AA-së, rezolutën e Kuvendit Federal Gjerman e cilësoi si “shembull i papërgjegjësisë politike”, duke theksuar se rezoluta në fjalë nuk ka asnjë bazë juridike dhe është në kundërshtim me të vërtetat historike.
“Nga pikëpamja e Turqisë, rezoluta nuk ka asnjë cilësi juridike dhe kuptim. Këtë rezolutë e dënojmë në mënyrën më të rreptë”, u shpreh Kalin, duke theksuar se në vitin 2005 presidenti Erdogan kishte bërë thirrje për themelimin e komisionit të përbashkët për histori duke u bazuar në dokumentet arkivore. Në lidhje me këtë, ai u shpreh se ndaj kësaj thirrje nuk kanë marrë përgjigje as nga Armenia, as nga mbrojtësit e tezës së gjenocidit.
“Propagandat përmes rezolutave në kuvend që nuk kanë kurrfarë arsyetimi politikë dhe janë largë të vërtetave juridike nga personat që nuk i përgjigjen kësaj thirrjeje nuk mund të shpjegohen ndryshe pos si ndjenjë fajësie. Është e rëndësishme që nuk u llogaritën aspak deklaratat e presidentit Erdogan në vitin 2014, 2015 dhe këtë vit në lidhje me ngjarjet e vitit 1915 dhe qasja e tij për ndarje të dhimbjes dhe kujtimeve. Kësaj duhet t’i shtohen edhe hapat e rëndësishëm që viteve të fundit Turqia i ka hedhur në favor të minoriteteve, përfshirë këtu edhe atë armen.
Ata që bënë propaganda duke e mbështetur këtë projekt-rezolutë, nuk janë të aftë ta lexojnë në mënyrë të drejtë jo vetëm historinë, por edhe të sotmen. Shpallja e njëanshme e ngjarjeve të vitit 1915 si gjenocid dhe dëshira për t’i penguar mundësitë për debate të lira janë gjithashtu në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Vlen të përmendet fakti se Gjermania është dorasi i gjenocidit më të madh të historisë moderne, Holokaustit. Po, Gjermania e pranon ta ketë kryer këtë krim. Megjithatë, për shkak të ndjenjës së thellë të fajësisë dhe mbase edhe atë të shfajësimit, fshihet pas gënjeshtrës së gjenocidit armen në mënyrë që të thotë se ‘nuk jemi vetëm ne ata që kemi bërë gjenocid, ka edhe të tjerë’”, u shpreh Kalin.
- “Nuk mund të pritet që turqit në Gjermani të ngelin të pazëshëm”-
Duke thënë se disa deputetë të cilët e kanë mbështetur rezolutën kanë thënë se me këtë rezolutë do të ushtrojnë presion mbi Turqinë, Kalin vazhdoi: “Turqia asnjëherë nuk ka ikur nga të ballafaquarit me historinë. Megjithatë, ajo natyrisht që nuk ngelet e pazëshme ndaj gënjeshtrave, propagandave dhe trushpërlarjeve. Përpjekja për të ushtruar presion ndaj Turqisë dhe popullit të saj duke u justifikuar me ngjarjet e vitit 1915 është gjë e kotë dhe ka kuptimin e mospërfilljes së shtetit dhe popullit të Turqisë.