ANKARA (AA) - Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, tha se "Rënia e Halepit do të jetë një përfitim kyç për regjimin dhe përkrahësit e tij, megjithatë, do ta thellojë edhe më shumë gjendjen humanitare tashmë tragjike dhe do t’ia shtojë kurajon regjimit të Asadit përballë indiferencës së botës ndaj luftës më të egër dhe më brutale në botë në kohët e fundit".
Kalin, në shkrimin me titull "Halepi po digjet" që ka vlerësuar në gazetën "Daily Sabah" është shprehur se Lufta e Sirisë, tani më në vitin e saj të pestë, po vazhdon të venitet nga titujt e gazetave dhe axhenda e komunitetit ndërkombëtar. Ndërsa bota i kthen sytë kah ngjarjet tjera të jashtëzakonshme, kërdia në Siri vazhdon, duke shkatërruar jetëra, bashkësi, histori dhe mbi të gjitha, çdo shpresë se kjo luftë do të përfundojë dhe se populli i Sirisë do të shohë paqe dhe prosperitet përsëri.
Ai duke treguar se gjatë katër viteve të fundit, Siria në tërësi e ka përjetuar goditjen e kësaj lufte të përgjakshme thotë se "Megjithatë, Halepi, qyteti i dytë më i madh i Sirisë dhe qendra e saj kulturore dhe financiare, ka qenë pika e konflikteve më të llahtarshme në javët e fundit. Rënia e Halepit do të jetë një përfitim kyç për regjimin dhe përkrahësit e tij, megjitatë, do ta thellësojë edhe më shumë gjendjen humanitare tashmë tragjike dhe do t’ia shtojë kurajën regjimit të Asadit përballë indiferencës së botës ndaj luftës më të egër dhe më brutale në botë në kohët e fundit."
Rezoluta 2254 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 18 dhjetor 2015, u supozua të krijojë korrnizë të re dhe një plan kohor për t’i dhënë fund luftës, për të sjellë ndihma humanitare dhe për ta filluar procesin e tranzicionit drejt një qeverie legjitime, demokratike dhe gjithpërfshirëse në Siri. Ajo gjithashtu u parapa si ndihmë në luftën kundër DAESH-it.
Kjo rezulutë nuk e arriti asnjërin nga këto qëllime, ndërsa regjimi vazhdoi t’i sulmojë objektivat e opozitës dhe civilët në Idlib, Halep dhe në pjesën e ngelur të vendit, me mbështetjen ruse nga ajri dhe të militantëve shiitë në terren. Marrëveshja e Mynihut për “ndërprerjen e armiqësive” e pranuar më 11 shkurt, u supozua ta përgatiste terrenin për bisedimet e Gjenevës të kryesuara nga OKB. Ndërsa kjo e kishte reduktuar dhunën në fund të shkurtit dhe mars, gjërat sërish po përkeqësohen nga dita në ditë. Veç kësaj, progresi në luftën kundër DAESH-it në Siri dhe Irak ka qenë shumë i vogël.
Siç konfirmojnë zyrtarët e OKB-së, regjimi i Asadit vazhdimisht deri më sot e ka shkelur Rezolutën 2254 të KSKB-së dhe Marrëveshjen e Mynihut. Ai ka vazhduar t’i bombardojë zonat civile dhe ato që kontrollohen nga opozita në Idlib, në veri të Latakias dhe Halepit, duke vrarë qindra civilë dhe duke mos lejuar qasjen e ndihmave humanitare tek ata që kanë nevojë.
Aktualisht, regjimi po i përqendron sulmet në Halep. Ai ka shënjestruar shkolla, furrtari, spitale dhe rrugë, me qëllim të ndëshkimit të civilëve në zonat e kontrolluara nga opozita. Kjo është taktikë tipike ruse: Bombardo jo vetëm ndërluftuesit, por edhe familjet e tyre, shtëpitë dhe qytetet, kështu që ata detyrohen të tërhiqen nga luftime pa shkrepur as edhe një plumb. Opozita është përpjekur të rezistojë kundër kësaj masakre të rrëmujshme. Por tani nuk ka ngelur më asnjë zonë e sigurtë brenda dhe përreth qytetit antik të Halepit. Pa ngelur asnjë shpresë më, Halepi po shndërrohet në një qytet shpirtrash. Shkatërrimi thuajse i tërësishëm i tij është shenjë tragjike e dështimit të komunitetit ndërkombëtar për ta shpëtuar Sirinë dhe popullin e saj.
Që nga fillimi i luftës në Siri, shumica kanë thënë se nuk ka zgjidhje luftarake për shtetin. Megjithatë, regjimi i Asadit, Rusia dhe grupet ushtarake shiite që e mbështesin regjimin e Damaskut, e kanë dëshmuar të kundërtën. Ata kanë përdorur çdo formë të fuqisë ushtarake, përfshirë edhe armë kimike, bomba thërmuese, bomba fuçi si dhe sulme nga ajri, për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Iniciativa diplomatike e OKB-së e kryesuar nga SHBA dhe Rusia, manipulohet për ta prolonguar jetëgjatësinë e regjimit të Asadit dhe për ta siguruar kalkulimin politik të mbështetësve të tyre.
Në ndërkohë, DAESH po vazhdon t’i mbajë zonat të cilat i ka nën kontroll. Politika e shpërqendrimit dhe prolongimi në bisedimet e Gjenevës të udhëhequra nga OKB, po e ndihmon këtë grup terrorist të rekrutojë anëtarë të rinj dhe ta zgjerojë sferën e ndikimit. Goditjet ajrore të koalicionit pa dyshim se i kufizojnë mundësitë e tyre operacionale në disa pjesë të Sirisë dhe Irakut, sidoqoftë, trungu kryesor i DAESH-it duket se po ngelet i fuqishëm mjaftueshëm për të realizuar sulme të reja terroriste.
Rast në fjalë është qyteti turk Kilis, i cili gjendet afër kufirit me Sirinë, ku sulmet raketore të DAESH-it kanë lënë të vdekur 21 persona. Forcat e armatosura turke i kanë bombarduar objektivat e DAESH-it përgjatë Kilisit, duke asgjësuar dhjetra terroristë të grupit. Ata kanë qenë të ndihmuar nga forcat ajrore të koalicionit. Turqia do të vazhdojë të bëjë gjithçka të nevojshme për t’i ndaluar këto sulme raketore.
Por fakti i thjeshtë është se për sa kohë që regjimi i Asadit ngelet në pushtet dhe e vazhdon luftën e stërzgjatur nën maskën e bisedimeve të paqes, DAESH do të ngelet forcë efektive në terren. Dy përbindëshat e luftës siriane, regjimi kriminel i Asadit dhe terroristët e DAESH-it, ushqehen nga njëri-tjetri dhe e ndajnë krimin e shkatërrimit të Sirisë dhe popullit të saj.
Ajo që regjimi i Asadit po e bën në Halep dhe ndaj trashëgimisë së tij historike, nuk është më pak mizore se sa ajo që DAESH bëri në Palmira vitin e kaluar. Vrasjet e rrëmujshme të grave dhe fëmijëve, mjekëve, infermierëve dhe punëtorëve ndihmës, nuk përjashtohen aspak nga krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.
Kjo është një ripërsëritje e asaj që ndodhi në Bosnjë në vitet e 90’a, vetëmse në një mënyrë më destruktive dhe jonjerëzore. Plogështia e botës për t’i dhënë fund gjenocidit në Bosnjë atëbotë, ngelet një pikë e zezë në historinë moderne. Indiferenca e treguar ndaj vuajtjeve të popullit sirian do të ngelet në histori si një turp më i thellë për njerëzimin.
Rënia e Halepit do të jetë më shumë se çështje e humbjes së një qyteti. Ajo do të jetë shkatërrimi i shresës së fundit i popullit sirian për paqe, liri dhe dinjitet. Ajo do t’i mundësonte regjimit gjakatar të Asadit një fitore tjetër hileqare. Por, edhe më tragjike, ajo do t’i dërgonte një porosi të dhimbshme popullit të Sirisë, se ata janë lënë të vetëm.
Nëse OKB, SHBA dhe Rusia janë vërtet seriozë për ndalimin e këtij barbarizmi, së pari duhet ta ndalojnë regjimin e Asadit nga minimi i shpresës së ngelur për sjelljen e paqes, sigurisë dhe prosperitetit në Siri. Bisedimet e Gjenevës nuk kanë asnjë kuptim nëse bombat fuçi dhe sulmet ajrore djegin dhe shkatërrojnë gjithçka në Halep.
news_share_descriptionsubscription_contact
