Magda Panoutsopoulou
20 Korrik 2022•Përditësim: 21 Korrik 2022
Një zjarr në afërsi të malit Pendeli, rreth 25 kilometra në verilindje të Athinës, ka vazhduar edhe në ditën e dytë, ndërsa si pasojë 30 persona janë dërguar në spital, tre me lëndime nga djegia dhe të tjerët me vështirësi në frymëmarrje, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mediat lokale raportojnë se nëntë vendbanime, si dhe stafi dhe pacientët e një spitali për fëmijë në zonë, tashmë janë evakuuar dhe janë zhvendosur në vende më të sigurta.
Sipas televizionit ‘Skai TV’, deri më tani janë transportuar në spital rreth 30 persona, tre prej të cilëve kanë marrë plagë nga djegia dhe të tjerët me vështirësi në frymëmarrje.
Erërat e forta në zonë kanë penguar përpjekjet e 500 zjarrfikësve për të shuar zjarrin, i cili ka bërë që qindra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, duke lënë gjithçka pas dhe disa shtëpi e makina tashmë janë shkatërruar nga flakët e furishme.
Shpejtësia e erës në zonën e Pendelit është regjistruar në 75-85 kilometra në orë.
Ndërkohë, nga zona është nxjerrë një 83-vjeçar, banor me plagë të vetëshkaktuar nga armë zjarri. Sipas mediave, burri ishte frustruar pasi pa shtëpinë e tij të digjej për herë të tretë gjatë zjarrit.
Aktualisht forcat zjarrfikëse po punojnë në Dioni dhe Dasamari deri në Marathonos Avenue për të parandaluar përhapjen e zjarrit në vendbanimet e tjera.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i brigadës së zjarrit, Yiannis Artopios, tha se rreth 500 zjarrfikës janë në zonë, të ndihmuar nga nëntë avionë zjarrfikës dhe dhjetë helikopterë, njëri prej të cilëve përdoret për të koordinuar operacionet ajrore.
Ai tha se një front më i vogël po digjet në perëndim të vendbanimit Drafi, ndërsa zjarre të ndryshme po shpërthejnë në zonën Anthousa.
“Të gjitha forcat e mbrojtjes civile po punojnë pandërprerë në terren. Mbrojtja e jetës njerëzore mbetet prioriteti ynë kryesor, ashtu si mbrojtja vendimtare e infrastrukturës së sektorit publik me rëndësi jetike dhe pronës private të qytetarëve”, tha Artopios, duke shtuar se ekipet e hetimit tashmë janë duke punuar për të përcaktuar shkakun e zjarrit.