Mücahit Oktay
17 Shtator 2020•Përditësim: 17 Shtator 2020
Së paku 34 persona e kanë humbur jetën ndërsa disa të tjerë janë zhdukur në zjarret që për disa javë janë aktive në bregun perëndimor të SHBA-ve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zjarret në pyje kanë goditur më shumë shtetin federal të Kalifornisë. Meteorologët njoftojnë se moti i ngrohtë dhe i thatë mund të ndikojë në përhapjen e zjarrit në ditët në vijim.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom tha se të paktën 25 persona e kanë humbur jetën në këtë shtet gjatë katër javëve të fundit si rezultat i zjarreve.
Ai theksoi se zjarret aktuale janë një tregues i qartë i pasojave shkatërruese të ndryshimeve klimatike.
"Temperaturat mesatare ditore të ajrit janë rritur me 3 gradë në katër dekadat e fundit. Temperaturat më të larta të ajrit në historinë e Kalifornisë u matën vetëm gushtin e kaluar. Zjarrfikësit po bëjnë një betejë të madhe me zjarret, por lufta e vërtetë që ne po bëjmë është ajo kundër ndryshimeve klimatike", tha Newsom.
Ai tha se për shkak të thatësirës, 136 milionë pemë u thanë dhe se 19.000 kilometra katrorë pyje u shkatërruan nga zjarret.
Shteti i Oregonit po ashtu është prekur nga 29 zjarre të ndara në pyje, në të cilat 8 persona humbën jetën ndërsa 16 të tjerë llogariten si të zhdukur.
Gjithashtu edhe Washingtonin e kapluan zjarre të ngjashme në të cilat janë djegur 2.500 kilometra katrorë pyje ndërsa mbi këtë rajon është ngritur re e dendur tymi.
Gjatë zjarreve në Washington ka humbur jetën një person dhe janë djegur 200 objekte ndërsa është shkatërruar 132 kilometra rrjet elektrik.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump shpalli gjendje të jashtëzakonshme në Kaliforni.