Mustafa Melih Ahıshalı
20 Maj 2017•Përditësim: 20 Maj 2017
TEHERAN (AA) - Sipas të dhënave paraprake zyrtare për zgjedhjet e 12-ta presidenciale në Iran, mësohet se Hasan Ruhani ndodhet në avantazh, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Bordit Zgjedhor të Iranit, Ali Asgar Ahmedi, i cili ka folur në një sallë konferencash në ndërtesën e Ministrisë së Brendshme në kryeqytetin e vendit, Tehran, ka publikuar rezultatet paraprake zyrtare të zgjedhjeve.
Duke theksuar se sipas rezultateve të para nga prefekturat, nga 25.966.729 vota janë të vlefshme 25.182.310, Ahmedi ka njoftuar se kandidati reformist dhe i konservatorëve të moderuar Hasan Ruhani ka marrë 14.619.848 vota, ndërsa kandidati i konservatorëve Ibrahim Reisi 10.125.855 vota.
Ndërsa dy kandidatët e tjerë, Mustafa Mir Selim ka marrë 297.276 vota dhe Mustafa Hashimiteba 139.331 vota.
Pasi ka vënë në dukje se rezultatet do të njoftohen gradualisht dhe se rezultatet përfundimtare do të shpallen ditën e sotme, Ahmedi, ka bërë të ditur se kanë votuar më shumë se 40 milionë votues.