Bota

Zgjedhjet presidenciale në Bolivi do të mbahen në mars 2020

Asambleja dydhomëshe e Bolivisë ka afat prej 20 ditësh për të zgjedhur komisionerin e ri zgjedhor, i cili do të bëjë thirrje për zgjedhje brenda 48 orëve, thotë shefi i stafit të qeverisë së përkohshme, Jerjes Atala

Beyza Binnur Dönmez  | 02.12.2019 - Përdıtësım : 02.12.2019
Zgjedhjet presidenciale në Bolivi do të mbahen në mars 2020

Ankara

Qeveria e përkohshme e Bolivisë ka njoftuar se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në muajin mars të vitit të ardhshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Ne do të fillojmë numërimin nga 23 dhjetori. Ne do të kemi katër muaj deri në 23 prill për të përfunduar me procesin", tha shefi i stafit të qeverisë së përkohshme, Jerjes Atala, njoftoi televizioni TeleSur.

Sipas Kodit Zgjedhor të Bolivisë, kandidatit fitues i nevojitet për më shumë se gjysma e votave, ose të paktën 40% me një avantazh prej 10 pikësh ndaj garuesit të dytë.

Atala rikujtoi se asambleja dydhomëshe e Bolivisë ka afat prej 20 ditësh për të zgjedhur komisionerin e ri zgjedhor, i cili do të bëjë thirrje për zgjedhje brenda 48 orëve.

Presidentja e përkohshme e vetëshpallur e Bolivisë, Jeanine Anez, javën e kaluar miratoi ligjin me të cilin bëhet thirrje për zgjedhje të reja presidenciale. Ligji ia ndalon kandidimin çdokujt që ka qeverisur në dy mandatet e fundit radhazi si president, me çka përjashtohet kandidimi i ish-presidentit Evo Morales.

Trazirat në Bolivi filluan në tetor, kur presidenti indigjen Evo Morales fitoi mandatin e katërt dhe u përball me rezistencë të menjëhershme nga partitë e opozitës që sfiduan rezultatet e zgjedhjeve. Protestuesit dolën në rrugë duke pretenduar mashtrime gjatë votimit.

Pas trazirave disajavëshe, Morales dha dorëheqjen nën presionin e ushtrisë dhe u transferua në Meksikë, ku iu ofrua azil politik.

Senatorja e atëhershme Jeanine Anez, një konservatore e opozitës, më pas e shpalli veten presidente të përkohshme.

Ndërkohë, demonstratat kanë vazhduar të mbahen nga mbështetësit kryesisht ruralë dhe indigjenë të Moralesit, përfshirë edhe kryeqytetin La Paz, që kur Morales u largua nga vendi, duke thënë se rrëzimi i ish-presidentit të zgjedhur ishte një grusht shteti.

Qeveria e përkohshme e Anez-it ka kërcënuar Morales-in me dënim me burg nëse ai kthehet në Bolivi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.