Sibel Uğurlu
12 Dhjetor 2019•Përditësim: 12 Dhjetor 2019
Izraelitët do të shkojnë në zgjedhje për të tretën herë në më pak se një vit pasi ligjvënësit nuk arritën të përmbushin afatin e së mërkurës, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe rivali i tij kryesor Benny Gantz, lideri i aleancës “Kaltër dhe Bardhë”, nuk arritën të formojnë qeverinë pas zgjedhjeve të prillit dhe shtatorit.
Presidenti Reuven Rivlin u ka ofruar ligjvënësve mundësinë për të formuar shumicën në parlamentin izraelit Knesset me 120 ulëse, me afat deri të mërkurën. Mirëpo, deputetët nuk arritën të përmbushin afatin.
Më pas, Knesseti votoi shpërbërjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve në muajin mars, pasi sipas ligjit izraelit, zgjedhjet e reja duhet të mbahen për 90 ditë.
Pasi dita e zgjedhjeve përputhej me festën izraelite Purim, ligjvënësit u dakorduan që të lëvizin datën për të hënën, 2 mars, duke e ndryshuar traditën e mbajtjes së zgjedhjeve në ditën e martë.