Islam Uddin
17 Shtator 2020•Përditësim: 17 Shtator 2020
Pas kufizimeve të rrepta nga shkaku i koronavirusit të ri (COVID-19), Zelanda e Re ka hyrë në një recesion pasi ekonomia e vendit u tkurr me 12,2 për qind në tremujorin e dytë, një rënie rekord që nga viti 1987, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mediat lokale raportojnë se shifrat zyrtare tregojnë se produkti i brendshëm bruto (PBB) ra për 12,2 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.
Vendi po dëshmon rënien më të madhe që kur Zelanda e Re miratoi sistemin aktual të të dhënave matëse në vitin 1987.
"Industritë si shitja me pakicë, akomodimi dhe restorantet, si dhe transporti panë një rënie të ndjeshme të prodhimit, sepse ato u prekën drejtpërdrejtë nga ndalimi ndërkombëtar i udhëtimit dhe bllokimi i rreptë në të gjithë vendin", tha Paul Pascoe, administrator i lartë në institucionet e statistikave të Zelandës së Re.
Shpenzimet e brendshme të familjeve po ashtu shënuan ulje për 12 për qind. Në baza vjetore, PBB-ja ra për 2 për qind, rënia e parë vjetore që nga tremujori i parë i vitit 2010.
Industritë e shërbimeve ranë për 10,9 për qind me shpenzimet e konsumatorit që shënuan ulje mbi 25 për qind.
Ministri i Financave, Grant Robertson, tha se shifrat aktuale priteshin pas kufizimeve të rrepta të qeverisë për të frenuar koronavirusin.
"Rënia e fortë ekonomike nuk ishte befasi, por masat e qeverisë të tilla si subenvcionimi i pagave, huatë e biznesit dhe skema të tjera kanë zbutur ndikimin", tha Robertson.
Rënia ekonomike e Zelandës së Re është 7 për qind më e lartë se e Australisë dhe 11,5 për qind më e lartë se e Kanadasë, por më e ulët se ajo e Mbretërisë së Bashkuar dhe Indisë.
Në muajin mars, kryeministrja Jacinda Arderd e vendosi vendin e saj nën një bllokim të rreptë për një muaj pas shpërthimit të pandemisë COVID-19.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Zelanda e Re deri më tani ka raportuar 1.809 raste të koronavirusit, me 25 viktima dhe 1.707 pacientë të shëruar.